Hulumtim: Paga minimale nuk mjafton/ Biznesi: Shteti të subvencionojë rritjen e pagave

Paga minimale nuk mjafton, ndërsa për rritjen e saj punëdhënësit i bënë thirrje qeverisë që të subvencionojë sektorin e biznesit, pasi ky i fundit vetë nuk ka mundësi të rrisë pagat. Ata thonë se me pagën aktuale prej 18.000 denarë nuk arrijnë të motivojnë punonjësit të cilët jane edhe fuqia blerëse e këtij vendi, për çka duhet të limitojë prodhimin ose të mbyllin kompanitë e tyre. Biznismeni dhe kryetari i Forumit Ekonomik Mbarë Shqiptar, Nagip Fejzi, thotë se duhet urgjentisht të rritet paga nëse duam të mbajmë në vend edhe atë pakë fuqi punëtore që na ka mbetur dhe të mos vijë deri te ajo që të sjellim punëtorë nga jasht.

“Unë mendoj se ne duhet politika sidomos por edhe biznesi të fokusohet në rritjen e pagës minimale. Ajo është pika kryesore që ne duhet shpejtë ta arrijmë një pagë e cila nuk do të jetë sigurisht si pagë evropiane, por pagë me të cilën populli do të mund të mbijetojë dhe rinia të kuptojë se edhe këtu me një rrogë të mirë mund të jetojë. Dhe çka ndodh sot – ne aktualisht ballafaqohemi me një krizë të jashtëzakonshme të fuqisë punëtore dhe ata dita-ditës largohen. Mendoj se jemi të vonuar, por subvencionimi që mund të bën Qeveria dhe jo vetëm e jona por edhe ato të rajonit, është që ato të na subvencionojnë neve si biznese e ne me automatizëm të financojmë klasën punëtore e cila do jetë fuqia blerëse. Ne tani na mungon edhe ajo pjesë, populli nuk ka fuqi të blejë dhe ne edhe të kemi mundësi të prodhojmë, s’kemi ku i shesim produktet tona”, deklaron Nagip Fejzi, biznismen nga Gostivari.

Të njejtin mendim me Fejzin e ndajnë edhe punëdhënësit e tjera nga Gostivari. Ata i ngritën këto shqetësime në panel diskutimin për pagën minimale në kontekst të kushteve ekonomike në Gostivar. Nga ana tjetër Dashmir Osmani nga pushteti lokal, thotë se në bazë të një hulumtimi të kryes së fundmi, në Gostivar mungon fuqi punëtore gati në çdo sektor, por më i theksua është në prodhim, gastronomi dhe ndërtimtari.

“Në bazë të përgjigjeve që morëm nga pyetësori që u përgatit nga ADI, mund të konstatojmë se një numër i madh i kompanive prodhuese dhe kompanive tjera nga sektorë të tjerë në Komunën e Gostivarit, kanë mungesë të punëtorëve, të resurseve njerëzore të cilët mungojnë në sketorë të ndryshëm. Kryesisht ka mungesë në sektorin e prodhimit, hoetelerisë, gastronomisë. Disa nga përgjigjet që kemi marrë nga analiza që u bë mbi nevojat e tregut të punës, përcaktohet qartë se në të gjitha këto sektore vërehte një mungesë”, deklaroi Dashmir Osmani nga Komuna e Gostivarit.

Hulumtimi është kryer nga Asociacioni për Iniciativa Demokratike “ADI” në Gostivar gjatë muajt mars dhe prill të këtij viti. Drejtori ekzekutiv i saj, Lulzim Haziri, tha se hulumtimi ka adhur në kuadër të projektit “Promovimi i dialogut social në bashkësi” në bashkëpunim me Qendrën Kulturore Rinore nga Manastiri dhe me mbështetjen e Qendrës Ndërkombëtare Olof Palme nga Suedia.

“ADI do të kisha thënë si një motor së bashku me Këshillin Lokal Ekonomik Social këtu në Komunën e Gostivarit u përcaktua që sot të debatojë me punëdhënësit, me sindikatat, shoqërinë civile dhe përfaqësuesit e pushtetit lokal rreth pagës minimale që u soll kohë më parë dhe ndikimit të saj në kontekstin ekonomik dhe social të qytetarëve dhe punëdhënësve. Jemi munduar që sot t’i mbledhim në një vend punëdhënësit dhe sindikatat që të diskutojnë lidhur me këtë normativë ligjore që u soll dhe për sa e njejta ua përmirëson standadrin punëtorëve, gjegjësisht qytetarëve dhe sa e njejta ndikon te punëdhënësit, te ndërmarrjet e ndryshme këtu në Gostivar”, deklaroi Lulzim Haziri, drejtor ekzekutiv në ADI.

Nga të pranishmit u theksua se një familje me dy paga minimale nuk mund të plotësojë shportën minimale të konsumit në vendin tonë e cila aktualisht arrinë në 38.104 denarë. Për një vit ajo është shtrenjtuar për mbi 4.000 denarë.