Importi i punëtorëve nga jashtë i domosdoshëm

Ka ardhur koha që ta hapim diskutimin për nevojën për fuqi shtesë punëtore në tregun e punës, thotë zëvendës kryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, për Bloomberg Adria.

Bytyqi tha se derisa punojmë në rikualifikimin e një grupi të caktuar të të papunësuarve në vend që t’i adaptojmë në nevojat e tregut, në mënyrë shtesë duhet të gjendet mënyrë që të plotësohet largimi i punëtorëve.

“Në tregun e punës ka mungesë të fuqisë punëtore dhe duhet t’i përgjigjemi kësaj sfide nëse dëshirojmë të kemi rritje të shpejtuar ekonomike”, tha Bytyqi. Në pyetjen e Bloomberg Adria nëse në ato 14 për qind të papunë nuk mund t’i gjejmë kuadrot e kualifikuara, të cilat i kërkojnë kompanitë dhe prej aty merren në vend se që të kërkohet import të fuqisë punëtore, zëvendëskryeministri u përgjigj se në mënyrë primare fuqinë punëtore e kërkojmë nga ata të cilët janë kërkues aktivë të punës në vend, por konstatimi i të gjithëve është se ende kemi mungesë të mungesë të fuqisë punëtore, por edhe në disa sektorë të fuqisë punëtore të kualifikuar në mënyrë specifike.

Për importin e fuqisë punëtore në të njëjtin emision në Bloomberg Adria folën edhe Mile Boshkov, kryetar i Konfederatës së Biznesit të Maqedonisë dhe Gligor Bishev, kryetar i Këshillit për avancimin e arsimit të lartë dhe hulumtimeve strategjike të Odës Ekonomike.

“Ka një mungesë serioze të fuqisë punëtore në treg, prandaj sipas standardit të punëtorëve dhe pagave në rajon dhe më gjerë, besojmë se do të duhet të mbështetemi në fuqinë punëtore që do të duhet të sjellim nga lindja e afërt dhe e largët, e ndoshta edhe nga kontinente të tjera”, tha Boshkov.

Ndërsa Gligor Bishev në deklaratën e tij theksoi se Maqedonia e Veriut, edhe pse ka një shkallë të papunësisë prej 14,2 për qind, është pothuajse e pamundur të gjesh njerëz për të punuar në ndërtim, por edhe në një numër të madh të industrive të tjera, si dhe në një sërë sektorësh shërbimesh.