Interpelanca, Xhaferi: Të shikohet në pasqyrë secili që ngrihet të akuzojë dikë tjetër

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në gjuhën maqedonase, nga foltorja dha shpjegime për interpelancën e paraqitur kundër tij nga VMRO-DPMNE. Xhaferi tha se do të flasë maqedonisht që të kuptohet më mirë, ndërsa theksoi edhe se shpjegimin do ta fillojë me një fjalë të urtë. “Të shikohet në pasqyrë secilin që ngrihet për të akuzuar tjetrin dhe para se ta bëjë këtë, të rishqyrtojë se çfarë po ndodh në gjërat, kur do të kontestoen faktet dhe argumentet”, tha Xhaferi, transmeton Portalb.mk.

Ai tha se deputetët e VMRO-DPMNE-së vazhdimisht e ofendojnë në baza personale.

“Nuk ka asnjë epitet që nuk ma keni përmendur personalisht. Nëse mendoni se duhet të zbresim në atë nivel, nuk do ta lejoj. Kur të mi kujtoni gjërat, kujtojini vetes si keni vepruar.. Përsëri do të pyes pse Antonio Miloshoski është nënshkruesi i parë i interpelancës, ndërsa është i 27-ti i regjistruar për të folur? Pasi e di se deri në mesnatë nuk do të vijë në radhë”, tha Xhaferi.

Fjalimi i Xhaferit pasoi pas fjalës së koordinatorit të grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, i cili akuzoi se Kuvendi me lejen e Xhaferit është shndërruar në makinë votimi, si dhe se kryeparlamentari në vazhdimësi ka shkelur Rregulloren e punës.

“Sado që të keni bërë punë të mira, gjë që nuk është kontestuese se janë bërë, besoni, me këto aktivitete që po ndërmerrni, ndërsa kjo është pengimi i opozitës në diskutime, duke keqpërdorur flamurin evropian, me procedurat e shkurtja, Rregulloren e punës, ju keni bërë shkelje të madhe të Kuvendit. Pres të gjithë deputetët që komentojnë fshehtas deri në mesnatë të votojnë për interpelancën”, tha Micevski nga VMRO-DPMNE.

Sipas Rregullores, kontrolli pas interpelancës zgjat një ditë pune, derisa të shterohet lista e deputetëve të regjistruar dhe të merret vendim jo më vonë se deri në mesnatë. Seancën e udhëheq nënkryetari i Kuvendit Goran Misovski. Deputetët e opozitës nuk presin që ajo të zgjidhet dhe Xhaferi të largohet nga detyra, por gjithsesi besojnë se ai duhet të përgjigjet para qytetarëve për punën e tij.

Interpelancën për Xhaferin e ka dorëzuar VMRO-DPMNE-ja më 30 maj. Xhaferi, duke u kujdesur për afatin në Rregullore, iu përgjigj dhe caktoi seancën e sotme.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, të cilët zhvillojnë, siç e quajtën ata, bllokadë aktive në Kuvend, e akuzojnë Xhaferin për punë joprofesionale dhe të pandërgjegjshme në kryesimin e Kuvendit të Maqedonisë. Sipas tyre, Xhaferi në disa raste në mënyrë flagrante ka shkelur dispozitat e Kushtetutës, Rregulloren e Kuvendit, si dhe ligjet që rregullojnë punën e Kuvendit.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së theksojnë se në punën e tij ka gjithnjë e më shumë skandale dhe se i fundit në seri ka qenë skandali kur deputetët e grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit “Përtëritja e Maqedonisë” u mbyllën në sallën ku u mbajt seanca plenare.

Xhaferi, siç theksojnë nga opozita, ka vepruar në mënyrë të pamatur, duke bërë shkeljen më të rëndë të “Kodit etik të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë” ,kur me fjalor të pahijshëm, duke përdorur sharje të ndryshme, u bënte presion shërbimeve në Kuvend. Po ashtu, gjatë mandatit të tij, për të përmbushur marrëveshjet e koalicionit, Xhaferi ka vepruar si deputet i qeverisë, e jo si kryetar Kuvendi.

Po ashtu, opozita akuzon se në periudhën e kaluar ka pasur disa shkelje të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë nga Xhaferi. Sipas VMRO-DPMNE-së, Xhaferi ka treguar se nuk ka kapacitete për të drejtuar Kuvendin si duhet dhe as nuk tregon gatishmëri për të bashkëpunuar me deputetët e opozitës, duke respektuar Kushtetutën dhe Rregulloren e punës.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, edhe më herët i është kundërpërgjigjur interpelancës përmes një prononcimi së dorëzuar, e cila, siç tha ai, “përmban një sërë të pavërtetash dhe është tentativë e rëndë për manipulim”.

“Pretendimet e bëra në interpelancë tregojnë qartë synimin e parashtruesve pa asnjë bazë për të zhvlerësuar arritjet e mia, kontributin e veçantë që kam dhënë në pesë vitet e fundit në ngritjen e nivelit të dialogut dhe kulturës demokratike në legjislativ, duke ndërmarrë hapa për të forcuar pavarësinë e Parlamentit dhe funksionin e tij mbikëqyrës mbi pushtetin ekzekutiv – diçka që ishte pothuajse e paimagjinueshme në një kohë kur disa nga parashtruesit aktualë ishin në shumicë në parlament. Deputetët e VMRO-DPMNE-së, natyrisht, janë të vetëdijshëm se për qëllime të politikës ditore, të nxitura nga selitë e tyre partiake, vendosin të pavërteta të mëdha me pretendimet në interpelancë se shkel Kushtetutën, ligjet dhe Rregulloren e Kuvendit”, thuhet mes tjerash në reagimin e Xhaferit.