Pushteti mbetet në qëndrimin se për momentin nuk nevojiten zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa opozita edhe më tej kërkon mbajtjen e tyre. Pas bllokadës së Kuvendit, VMRO-DPMNE-ja paralajmëron “hapa të reja” për të cilat duhet të bisedohet sot në seancën e Komitetit ekzekutiv të partisë. Nga ana tjetër, dje, edhe Alternativa, e cila është pjesë e koalicionit qeveritar, u deklarua se në kushte të krizës më të madhe ekonomike dhe energjetike nuk duhet të ketë zgjedhje.
Lideri i Alternativës Afrim Gashi nga Kongresi i djeshëm i partisë porositi se zgjedhje të parakohshme për momentin nuk nevojiten.
“Shpresojmë që ashtu siç kaloi pjesa e parë, edhe dita e dytë e Kongresit do të jetë në atmosferë pozitive dhe kjo që po ndodh sot do të jetë në dobi të të gjithëve, për të pasuruar skenën politike me diçka që është e mirë për të gjithë. Shumica e Kuvendit Qendror, 90 për qind, do të votojnë sot, sepse janë njerëz që vijnë nga degët dhe ky është organi kryesor që zgjidhet në parti dhe zgjat deri në kongresin e ardhshëm”, tha Gashi.
Edhe nga LSDM-ja konsiderojnë se Qeveria ndërmerr masa dhe përballet me sfidat që i imponoi kriza energjetike dhe se nuk nevojiten zgjedhje. Kryeministri Dimitar Kovaçevski disa herë deri më tani ka deklaruar se takim të liderëve nuk do të mbahet nëse në të bisedohet vetëm për kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme.
“Tanimë kemi thënë se takim për zgjedhje të parakohshme nuk duhet të mbahet sepse një kërkesë e tillë vjen në kushte të krizës më të madhe energjetike dhe ekonomike. Po na pret një dimër i rëndë me të cilin do të duhet të përballemi dhe për çka 24 orë bëjmë plane”, deklaroi Kovaçevski.
Bojkoti i Kuvendit nga ana e opozitës, sipas Kovaçevskit, është joserioz, sepse atje sillen ligje të cilat janë në interes të qytetarëve.
Nga ana tjetër lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski paralajmëroi se sot në seancën partiake të Komitetit ekzekutiv do të hapet diskutimi për hapat e ardhshëm që do t’i ndërmerr partia në lidhje me bllokadën e Kuvendit.
“Le ta vendosin ligjin për votim dhe le të mbështetin për atë se populli vendosi që VMRO-DPMNE të ketë 50-të komuna ku do të jetë në pushtet. Atë ligj e mbështesim për atë se 63 milion euro do të investohen në projekte, në kushte më të mira për jetën e qytetarëve”, tha Mickoski.