Komuna e Tetovës do të dëmshpërblejë qytetarët prej 500 deri 1600 euro nga sulmet e qenve endacakë

Komuna e Tetovës ka ndarë me opinionin në ueb faqen e saj Rregulloren për përcaktimin e mënyrës së pagesës dhe të kompensimit për dëmet e shkaktuara nga kafshimi i qenve endacak. Komuna ka ndarë edhe kërkesën për kompensim të dëmit që rezulton nga kafshimi i qenve endacakë. Kjo rregullore u votua gjatë seancës së katërt të këshillit komunal, shkruan Portalb.mk.

Kjo vlen për sulmet të cilat ndodhin në territorin e Komunës, të cilat janë të përcaktuara në rregullore.

Qytetarët të cilët sulmohen, lëndohen apo kafshohen nga qentë e rrugës do kenë mundësi kompensimi nga 30 mijë deri në 100 mijë denarë. Shumë kjo e cila do të varret nga ajo sa do e caktojë Komisioni i kompensimeve nga kafshimi i qenve endacakë, i cili tani më është formuar.

Komisioni përbëhet nga kryetari i cili vjen nga radhët e të punësuarve të administratës komunale dhe katër anëtarë të tjerë, edhe atë: një anëtar nga Sektori Juridik në Komunë, një anëtar nga NPK Tetova, një anëtar nga radhët e mjekëve traumatologë të licencuar dhe një anëtar nga radhët e mjekëve të licencuar në fushën e psikiatrisë.

Kompetencat e këtij komisioni janë të shqyrtojë kërkesat për kompensimin e demit dhe të jep propozime për vlerën e kompensimit të demit.

Përcaktimi i vlerës së kompensimit vlerësohen në bazë të disa kritereve të cilat kanë nga 5, 10 dhe 15 pikë. Edhe atë: lloji I kafshimit, numri I kafshimeve, shkalla e përjetuar e frikës, mosha e të lënduarit, fëmijët, pasojat e shkaktuara si rezultat i kafshimit, shenjat në trup, dëmtimi i gjendjes psiqike. Ndërkaq shuma llogaritet në bazë të pikëve të grumbulluara. Që në total gjithsej janë 100 pikë.

Qytetarët gjatë paraqitjes së kërkesës në komunë duhet të dorëzojnë këto dokumente: letërnjoftim ose pasaportë të vlefshme për kontroll dhe nëse i dëmtuari është i mitur, dokumentet i dorëzon prindi ose kujdestari, dokumentacion mjekësor nga institucioni shëndetësor që ka mjekuar lëndimin e shkaktuar nga kafshimi i qenit endacak, vërtetim nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut (stacioni policor ku është paraqitur rasti), procesverbal nga inspektorati komunal (për rastin e paraqitur, fotografi nga lëndimi, deklaratë nga dëshmitarët (nëse ka), kopje e faturës fiskale për shpenzimet e bëra në lidhje me ngjarjen, kopje e llogarisë së transaksionit të parashtruesit.

Rregulloren dhe kërkesën e gjeni duke klikuar KËTU.

Përndryshe, viti i kaluar u përmbyll me 59 raste të raportimeve në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë për sulme apo kafshime nga qentë endacakë në Tetovë dhe rrethinë. Por, këto shifra duket të jenë më të larta pasi jo gjithkush i raporton këto sulme.

Problemin me qentë endacakë Komuna e Tetovës thekson se do tentojnë ta zgjidhin gjatë këtij viti, megjithatë sipas tyre kjo përsëri është e pamjaftueshme të zgjidhet në nivel lokal, pasi siç thonë nevojitet zgjidhje në nivel nacional. Për zgjidhjen e këtij problemi, Komuna e Tetovës në buxhetin e vitit 2023 ka ndarë 3 milionë denarë.