Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, qëndron sot në Kosovë, takon krerët e shtetit

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, do të qëndrojë për vizitë sot në Kosovë, ku do të takohet me krerët e shtetit.

Vizitën e tij, Osmani do ta nisë me homologen Donika Gërvalla, takim ky që do të mbahet në Ministrinë e Punëve të Jashtme me fillim nga ora 09:30, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Më pas, do të vijojnë edhe me konferencë për media.

Pas Gërvallës, kryediplomati maqedonas do të trokasë në derën e Presidentes së Shtetit, Vjosa Osmani, takim ky që parashihet të nisë në ora 10:25.

Kështu njoftoi Presidenca përmes një komunikate për media.

“Në orën 10:25, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili është edhe kryesues aktual i OSBE-së”.

Takimet e tij, kryediplomati Bujar Osmani do t’i përfundojë me kryeministrin Albin Kurti, me të cilin do të takohet me fillim nga ora 12:20.

Takimet me Presidenten Osmani dhe Kryeministrin Kurti do të përfundojnë pa deklarim për media.

Ndërkohë, kryediplomati maqedonas ishte për vizitë dje edhe në Beograd, ku la disa porosi për dialogun dhe ngriti çështjen e integrimit të komunitetit etnik shqiptar.

Osmani tha se dialogu dhe bashkëpunimi konstruktiv duhet të jenë imperativ, duke shprehur mbështetje të fuqishme të OSBE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Të adresohen çështjet e integrimit të mëtejmë të komunitetit etnik shqiptar në shoqërinë serbe, përmes planit shtatë pikash si dhe të merren parasysh shqetësimet e ngritura nga komunitetet lidhur me pasivizimin e adresave që shpresojmë të adresohen brenda kornizës kushtetuese të Serbisë”, tha ai në Beograd.