“Kuqezinjët” me foto të para zyrtare, para nisjes së “EURO 2024”

Kombëtarja e Shqipërisë ka vijuar me fazën përgatitore në Austri, në prag të “Euro 2024”, teksa skuadra të martën ka zhvilluar një seancë të lehtë stërvitore me lojtarët që nuk u aktivizuan ose luajtën pak minuta në miqësoren ndaj Lihteshtejnit. I gjithë grupi është në gjendje të mirë dhe nuk ka probleme fizike për asnjë lojtar.

Sakaq, këtë të martë “kuqezinjtë” kanë realizuar edhe fotot zyrtare para finaleve të “Euro 2024”. Kombëtarja shqiptare, ashtu si edhe në Euro 2026, edhe këtë herë do të vishet me kostumet e atelier “Altin Mici”, që kuron imazhin e kuqezinjve dhe ka realizuar një set veshjesh speciale për ekipin dhe të gjithë stafin kuqezi.

Gjithashtu, në qendrën stërvitore të Kombëtares në Austri u zhvillua edhe ceremonia e nënshkrimit të bashkëpunimit të ri mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe atelier “Altin Mici”, me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, dhe Altin Micin, të cilët firmosën rinovimin e marrëveshjes mes palëve.