Lajçak paralajmëron takime ku Kurti e Vuçiq ‘do të pajtohen’: Asociacioni duhet të bëhet

Miroslav Lajçak përfundon vizitën në Kosovë, duke folur për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi në nivel udhëheqësish (Kurti – Vuçiq) si dhe ngushëllimin për Kosovën që s’iu liberalizuan vizat, pavarësisht pritshmërive të mëdha të ditës 23 qershor 2022. Kështu, Lajçaku shkon nga Prishtina në Beograd, me këto mesazhe: Do të ketë takime të reja Kurti-Vuçiq, Asociacioni duhet të bëhet, raportet Kosovë – Serbi duhet të normalizohen….

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar takime më të shpeshta midis kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Ai tha se ‘nuk dëshirojnë të organizojnë më takime ku palët nuk pajtohen me njëra-tjetrën’, por duan takime ‘ku palët do të pajtohen për normalizim’ sepse siç tha ai, ‘kjo është përgjegjësi e udhëheqësve shtetërorë”

“Takime kemi pasur dy takime, kemi organizuar pas themelimit të qeverisë së kryeministrit Kurti, në qershor dhe në korrik, por nga perspektiva diplomatike nuk ka qenë aq konstruktive dhe për këtë arsye jam angazhuar në takime të veçanta me kryeministrin Kurti. Do të sigurohemi që takimi i radhës të jap rezultate, nuk dëshirojmë të bëjmë takime ku ata pastaj kritikojnë njëri tjetrin. Dëshirojmë të kemi takime dhe të pajtohen për gjëra të rëndësishme për qytetarët për Kosovën dhe Serbinë. Kështu që jemi duke punuar për këtë takim. Tani, ndjej se e kemi momentumin që të fillojmë takime më të shpeshta, më të rregullta në nivel të udhëheqësve. Normalizimi është përgjegjësi e udhëheqësve. Plani ynë është të kemi takime më të shpeshta, të rregullta”, tha Lajçak në konferencë për media pas përfundimit të vizitës në Kosovë, shkruan Periskopi.

Sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Lajçak tha se ky është zotim i Kosovës që e ka nënshkruar në dialog dhe e ka ratifikuar në Kuvend dhe se ‘këtë zotim duhet ta përmbushë’.

“Është zotimi që e ka pranuar Kosova përmes ratifikimit në Kuvend. Për këtë arsye, ka një parim të mirënjohur të të drejtës ndërkombëtare që thotë se ajo që është pajtuar duhet të zbatohet. Kjo nuk është dicka që Brukseli e kërkon, por dicka që palët janë pajtuar në dialog. Ka edhe disa çështje të tjera në listën time për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, por kjo është shumë sensitive sepse Serbia e sheh si cështjen më të rëndësishme dhe BE mendon se duhet ta shtyejmë procesin përpara”, tha Lajçak, përcjell Periskopi.

Ndërkaq sa i përket çështjes së mosliberalizimit të vizave, Lajçaku tha se ‘na kupton plotësisht”.

“Ju kuptoj plotësisht se sa është e ndjeshmëri kjo, për Kosovën dhe e dimë që  e meriton i keni përmbushur kriteret, plotësisht jam i vetëdijshëm se sa e rëndësishme është kjo për imazhin dhe kredibilitetin e BE. Kurrë nuk ka qenë e pritshme sa është tani. Javën e kaluar kur janë takuar, kanë folur se duhet të përfundohet me suksese. Vëmendja kurrë nuk ka qenë më e madhe.”, tha Lajçak në konferencë për media/Periskopi