LajmeMaqedoni

Maqedonia e Veriut dështoi të bëjë një hap vendimtar drejt anëtarësimit në BE – Ndahet nga Shqipëria

Rruga e pranimit të Shqipërisë në BE do të shkëputet nga ajo e Maqedonisë së Veriut, me grupet e para të negociatave që do të hapen zyrtarisht për Tiranën më 15 tetor, sipas një vendimi unanim të ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, shkruan Alsat.

Hapi i radhës pritet të bëhet nga Shqipëria në mes të tetorit në kuadër të konferencës ndërqeveritare më hapjen e Kllasterit të Parë – Themeloret. Ky grup përfshin disa kapituj – Prokurimi, Statistikat, Gjyqësori dhe të drejtat themelore, drejtësia, liria dhe siguria dhe kontrolli financiar.

Ky është një lajm i mirë për Shqipërinë në përpjekjet e saj për të përmbushur kërkesat për të avancuar në rrugën e saj në BE, por është një pengesë për Maqedoninë e Veriut, e cila edhe një herë dështoi të bëjë një hap vendimtar drejt anëtarësimit në BE.

“Komisioni pret të fillojë negociatat për Kllasterin – Themeloret sa më shpejt që është e mundur me Shqipërinë, dhe me Maqedoninë e Veriut sa më shpejt që është e mundur, sapo Maqedonia e Veriut të ketë përmbushur kushtet relevante që i janë dhënë nga Këshilli”, tha Ana Pisonero, zëdhënëse e KE-së për zgjerim.

Rruga e dy vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE u bashkua me fillimin e negociatave të nisura zyrtarisht në verën e vitit 2022. Megjithatë, për shkak të mosmarrëveshjeve midis Shkupit dhe Bullgarisë, hapja e kapitujve ishte shtyrë duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në progresin e Tiranës.

Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut ranë dakord nën drejtimin e presidencës franceze të BE-së në korrik 2022, për të ndryshuar kushtetutën dhe për të përfshirë në të edhe pakicën bullgare. Marrëveshja nuk është zbatuar për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe konsensusit në Maqedoninë e Veriut. / Alsat.mk

 

Show More

Related Articles

Back to top button