Mesazhi i PD që fton shqiptarët në protestë: ‘Shqipëria në rrezik. Mos thuaj ç’më duhet mua!’

Ashtu siç e deklaroi dje, kryetari i PD-së Sali Berisha, protestën e opozitës më 7 korrik në Tiranë e drejton Fronti për Shpëtimin e Shqipërisë.

Në dokumentin që iu është shpërndarë strukturave të PD-së që po merren me organizimin e saj, shihet ndër të tjera mesazhi dhe synimi për të cilin qytetarët nga i gjithë vendi janë thirrur për t’u bashkuar kundër kësaj qeverie.

“Shqipëria në rrezik. Mos thuaj ç’më duhet mua?” thuhet në mesazhin, që synon më së shumti të zgjojë vetëdijen e qytetarëve dhe besimin tek protesta dhe tek fuqia e bashkimit.

 Berisha, në mbledhjen e Kryesisë së PD, tha ndër të tjera: ‘Ka një klimë shumë pozitive te qytetarët për protestën. Shoqëria e vërtetë civile është e tëra në këmbë për të dhënë kontributin e saj në organizimin e kësaj proteste.

Faktikisht protestën e drejton tashmë Fronti për Shpëtimin e Shqipërisë.

Kam shumë besim se partitë politike opozitare parlamentare joparlamentare do t’i bashkohen protestës dhe do të zhvillohen të gjitha tratativat me to. Por, të gjithëve ju anëtarë të këshillit Kombëtar, të gjithë drejtuesve u bie detyra të zbresin në çdo bllok, çdo grupseksioni dhe në të gjitha shtrirjen e PD-së për të bërë mobilizimin maksimal për këtë protestë.

Kjo protestë mblidhet thirret në një kohë kur vendi ka tashmë opozitën e vërtetë. Nuk ka më as manipulime, dhe as gjë tjetër. Ka mbrojtje vetëm të interesave të qytetarëve.”