Ndërkombëtarët rrisin presionin ndaj Shkupit për ndryshimet kushtetuese

Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Maqedoninë e Veriut kanë intensifikuar mesazhet drejtuar partive politike, në veçanti atyre në opozitë, mbi nevojën e mbështetjes së ndryshimeve kushtetuese.

Ndryshimet duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës maqedonase, si popull shtetformues, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Bullgarinë, bazuar në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy shteteve për identitetin maqedonas, gjuhën dhe dallimet historike.

Për këto ndryshime duhet të votojnë dy të tretat, apo 80 nga 120 deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Por, shumica parlamentare aktualisht ka 74 vota, që do të thotë se pa votat e opozitës ndryshimet nuk mund të bëhen.

Zyrtarët maqedonas tani shpresojnë në një trysni më të madhe nga diplomatët perëndimorë për të bindur opozitën që t’i mbështesë këto ndryshime.

Opozita që kryesohet nga VMRO DPMNE-ja ka refuzuar të marrë pjesë në grupin e ekspertëve që do të hartojë amendamentet kushtetuese.

“Ne sërish i bëjmë thirrje opozitës që të caktojë ekspertët që ata u besojnë që të jenë pjesë e grupeve të punës. Ne do t’i presim, por jo në pafundësi, sepse procesi i hartimit të amendamenteve kushtetuese duhet të nisë që ndryshimet të miratohen deri në vjeshtë”, ka deklaruar zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.

VMRO DPMNE-ja ka thënë se askush nuk ka marrë mandat në zgjedhje për ndryshimin e Kushtetutës.

“Së pari duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, në të cilat partitë do t’i prezantonin qëndrimet e tyre edhe për ndryshimet kushtetuese, dhe fituesi i zgjedhjeve më pas të veprojë në bazë të vullnetit të popullit”.

Sipas hulumtimeve të fundit të opinionit publik pjesa dërrmuese e maqedonasve të anketuar janë kundër ndryshimit të Kushtetutës. Rënie ka shënuar mbështetja për Bashkimin Evropian nga rreth 80 për qind në afër 60 për qind – krahasuar me periudhën e para vetos bullgare të nëntorit të vitit 2020.