Një i vdekur dhe dhjetëra të plagosur pas shembjes së skenës në një festival në Valencia

SPANJË- Shembet skena gjatë zhvillimit të një festivali në Valencia. Për pasojë një 28-vjeçar humbi jetën dhe 20 të tjerë u plagosën. Sipas ekipeve të emergjencës, ngjarja ka ndodhur për shkak të erës së fortë që ka arritur shpejtësinë 65 km/h.

Burime në festivalin Medusa, i cili po mbahej në Culera, Valencia, thanë se kolapsi ndodhi në orën 3:30 të mëngjesit të së shtunës, kur era shkaktoi shembjen e një pjese të skenës kryesore dhe strukturës së hyrjes, duke rënë mbi të rinjtë që ishin mbledhur për të shijuar koncertin.

Shembja fillimisht ra mbi një pjesë të turmës në pjesën e përparme. Më pas era e zhvendosi duke lënë të plagosur dhjetra të tjerë të përfshirë nga paniku.

Të shtunën herët në mëngjes, burimet e shërbimeve të urgjencës thanë se numri i të plagosurve ishte të paktën 21, dhe nëntë prej tyre në gjendje të rëndë.