Osmani: OSBE-ja është burim i rëndësishëm në hartimin dhe zbatimin e reformave në Kosovë

OSBE-ja është e gatshme të mbështesë zbatimin e Marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut të udhëhequr nga BE-ja me ndërmjetësimin e BE-së, tha Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, pas takimit zyrtar me Presidenten, Vjosa Osmani-Sadriu në Prishtinë.

Osmani shprehu mirënjohjen e tij për partneritetin e fuqishëm dhe marrëdhëniet e mira me institucionet e Kosovës që zgjasin për më shumë se 20 vjet. Ai theksoi se është e rëndësishme që të zvogëlohen tensionet në terrenin në veri të Kosovës për t’i dhënë hapësirë procesit politik të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, të cilin OSBE-ja e mbështet fuqishëm.

 “Dialogu i udhëhequr nga BE-ja ka potencial që të kontribuojë në stabilitetin rajonal. Jam i inkurajuar nga progresi i fundit, përfshirë edhe miratimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur”, potencoi Osmani.

 Ai tha se institucionet dhe komunitetet e Kosovës kanë bërë përparim të dukshëm në promovimin e institucioneve funksionale demokratike, të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Po ashtu theksoi se edhe më tej i ka inkurajuar autoritetet e Kosovës t’i referohen OSBE-së si një burim i rëndësishëm në hartimin dhe zbatimin e reformave.

 “Për ne është thelbësore që me vendosmëri të hapim faqe të re dhe së bashku të shikojmë drejt të ardhmes. Përpjekjet që synojnë bashkëpunimin rajonal kanë treguar se sa është e rëndësishme të qëndrojmë afër dhe të punojmë së bashku. Dialogu dhe bashkëpunimi duhet të jetë imperativ për të gjithë”, tha Osmani.

 Gjatë vizitës, Osmani vëmendje të veçantë u kushtoi të rinjve dhe zhvillimit të tyre, për të cilët tha se duhet të jetë ura drejt të ardhmes më të ndritur, duke theksuar se korrupsioni dhe ndryshimet klimatike janë kërcënim veçanërisht serioz për gjeneratat e ardhshme. Andaj, tha Osmani, duhet t’i përfshijmë të rinjtë nëse duam t’i përballojmë këto sfida në mënyrë të duhur.