POLICIA NË AKSION KUNDËR BANDAVE TË KRYEQYTETIT

Nuk do të ketë më banda të cilat nën pretekstin e ruajtjes së sigurisë ndaj bizneseve, diskotekave e lokaleve, zaptonin kryeqytetin dhe zhvillonin veprimtaritë kriminale të lidhura drejtpërdrejt me nëntokën. Me këtë moto, prej të paktën 1 muaj tashmë, ekipe të gërshetuara nga njësite të ndryshme policore, patrullojnë Shkupin, me plan të mirëfilltë operativ dhe të detajuar për monitorimin, intervenimin dhe marrjen e masave konkrete ndaj elementëve të caktuar kriminalë që veprojnë në kryeqytet.

Që nga rënia e kambanës së parë të alarmit për sigurinë në vend, muajin e kaluar, si dhe angazhimin që i ka dhënë vetes dikasteri policor, një plan u përgatit për goditjen me grusht të fortë të të gjithë elementeve të nëntokës, të cilët mbjellin frikë, mashtrojnë e reketojnë pronarët e pikave të shitjes, dyqaneve, bizneseve, diskotekave etj. Operacioni mban emrin e koduar “Bezbeden grad” (Qytet i sigurt), ndërsa policia ka hartuar edhe listën me emrat e personave të cilët do të ndodhen nën vëmendjen e shtuar të policisë për t’i monituar nga afër aktivitetet e tyre potenciale të lidhura me krimin.

Nga ky koordinim, sipas planit që ndiqet, janë gërshetuar njësitet speciale, TIGRAT, njësitet për pozicionim të shpejtë EBR, madje edhe policia rrugore dhe ajo intervenuese për të bashkëpunuar jo vetëm në përpunimin e të dhënave por edhe në ndërhyrjet në raste të nevojshme të dyshimta dhe neutralizimin e elementëve të tilla që cenojnë sigurinë e përgjithshme dhe rrezikojnë prona private.

Në disa raste, operacionet kanë përfunduar me parandalim të akteve të dhunës dhe kërcënimit masiv të jetës së njerëzve, në një nga diskotekat në lindje të kryeqytetit, e deri edhe në shoqërimin në polici të figurave kriminale, reketuesve dhe shpërndarësve të drogës, pjesa më e madhe e tyre persona me precedent penal në organet e ndjekjes penale. Ky angazhim prej dhjetëra e dhjetëra forcash policore organizohet veçanërisht gjatë orëve kur nëntoka del në sipërfaqe, gjatë orëve të natës.

Burimet thonë se plani do të vazhdojë të jetë aktiv, dhe policia nuk ka ndërmend të lëshojë pe kur bëhet fjalë për sigurinë e qytetarëve dhe sigurinë e kryeqytetit, madje i bën thirrje qytetarëve që në raste të tilla të denoncojnë dhe bashkëpunojnë me forcat e rendit.