Raporti Botëror i Drogave, Shqipëria renditet e shtata në botë për kanabis

Shqipëria përmendet si një nga vendet kryesore në botë të kultivimit të kanabisit në Raportin Botëror të Drogave 2022, një publikim i UNODC, zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimet.

Sipas raportit, Shqipëria është e shtata në botë nga shtetet më të përmendura për origjinën, nisjen dhe tranzitin e barit të kanabisit për periudhën 2016-2019, (nga 154 shtete gjithsej) pas Marokut, Afganistanit, Spanjës. Holandës, Pakistanit dhe Libanit.

Raporti thekson se kanabisi prodhohet ilegalisht në çdo rajon në botë. Kultivimi i kanabisit u raportua ose përmes treguesve direkte (si kultivimi apo asgjësimi i bimëve, ose asgjësimi i fushave të mbjella) ose tregues indirektë (sekuestrimi i bimës, raportet mbi origjinën e kanabisit të sekuestruar) nga të paktën 154 shtete për periudhën 2010–2020.

Sipas raportit, Shqipëria renditet e para në rajonin e Europës Juglindore në analizën e disa treguesve për periudhën 2010–2020, të cilat sugjerojnë vendet që kanë një kultivim të konsiderueshëm të kanabisit, i cili (a) eksportohet ose (b) prodhohet për kultivim të brendshëm. Pas Shqipërisë renditen Turqia, Rumania e Bullgaria.

Shqipëria përmendet edhe në të ashtuquajturën rrugë të Ballkanit për heorinën, që fillon nga Pakistani, kalon nëpër Siri, Turqi, Greqi, Shqipëri dhe përfundon në vendet e Europës Perëndimore.

Sipas raporti të UNODC, legalizimi i kanabisit në pjesë të botës duket se ka përshpejtuar përdorimin e përditshëm dhe ndikimet e lidhura me shëndetin. Raporti detajon gjithashtu rritjet rekord në prodhimin e kokainës, zgjerimin e drogave sintetike në tregje të reja dhe mangësitë e vazhdueshme në mekanizmat e trajtimeve të drogës, veçanërisht për gratë.