Rënia e qeverisë bullgare, një problem serioz edhe për Maqedoninë e Veriut

Stabiliteti politik relativ në Bullgari zgjati vetëm 6 muaj. Të mërkurën e 22 qershorit, një mocion mosbesimi i dha fund qeverisë së drejtuar nga Kiril Petkov, kreut i lëvizjes centriste dhe reformuese “Të vazhdojmë ndryshimin”.

Qeveria e tij u krijua në dhjetorin e vitit të kaluar me synimin e shpallur modernizimin e vendit, luftën kundër korrupsionit dhe rinisjen e reformës në sistemin gjyqësor. Por kabineti ishte e kufizuar në veprimtarinë e tij nga nevoja për kompromise të vazhdueshme midis forcave politike që përbënin shumicën parlamentare shumë të larmishme.

Tani i takon presidentit të vendit Rumen Radev, që t’u besojë udhëheqësve politikë misionin e kërkimit dhe gjetjes së një formule qeverisjeje në parlamentin aktual. Por është një përpjekje që duket e destinuar të ketë pak sukses. Perspektiva më e mundshme, është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në muajin shtator.

Ajo çka e bën situatën edhe më konfuze dhe të paparashikueshme, janë tensionet e forta të brendshme lidhur me lojën komplekse të vetos bullgare kundër rrugëtimit të Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian.

Veto, të cilën presidenca franceze e BE u përpoq ta zhbllokonte me një propozim të ditëve të fundit, që pavarësisht krizës qeveritare, u miratua nga parlamenti bullgar, por fati përfundimtar i të cilës është ende larg nga të qenit i qartë.

Që ruajtja e unitetit të mazhorancës qeveritare aktuale do të ishte shumë e vështirë, kjo ishte e qartë që në fillim, mbi të gjitha për kryeministrin e ri Petkov. Së bashku me partinë “Të vazhdojmë ndryshimin”, një risi absolute në politikën bullgare dhe partia e parë në zgjedhjet e parakohshme të nëntorit, të tretat radhazi gjatë vitit 2021, kishte parti që ishin të detyruara të bashkëpunonin me të të diktuar nga rrethanat

Por ato nuk kishin shumë objektiva të përbashkët, përveç dhënies fund të dominimit politik 10-vjeçar të ish-kryeministrit të qendrës së djathtë Bojko Borisov. Së bashku me partinë e “Rinisë së Harvardit” (Petkov dhe Asen Vasilev, zëvendëskryeministër dhe bashkëthemelues i lëvizjes, kanë studiuar në universitetin prestigjioz amerikan), pjesë e shumicës së re ishin edhe socialistët dhe liberalët e “Bullgarisë Demokratike”.

Por edhe lëvizja populiste “Ka një popull si ky” nga shousdmeni dhe këngëtari i njohur dhe kontrovers bullgar Slavi Trifonov. Tensione të dukshme u shfaqën brenda qeverisë që pas fillimit të sulmit rus ndaj Ukrainës në fund të shkurtit.

Petkov, që ka qenë që nga fillimi i krizës në një linje të qartë pro-ukrainase, në një vend ku simpatitë ndaj Rusisë mbeten të forta në segmente të mëdha të popullsisë, u përplas ashpër me Ministrin e tij të Mbrojtjes, Stefan Yanev, për deklaratat e këtij të fundit pro Moskës, derisa i kërkoi dhe e detyroi të jepte dorëheqjen.