Sëmundja e diabetit ka marrë hov, statistika shqetësuese tek fëmijët

Rritje alarmante e të diagnostikuarve me diabet. Prej 45 mijë qytetarëve, të cilët vuajnë nga kjo sëmundje, rreth 500 janë fëmijë.

Në krahasim me dy vite më parë, dyfishi i fëmijëve janë diagnostikuar me tipin 1 të diabetit. Nga Shoqata e Fëmijëve me diabet thonë se kjo rritje ka ndikuar me gjendjen post kovid të prekurve nga virusi korona. Natasha Dimitrievska nga Shoqata e fëmijëve me diabet tha se nuk ka perspektivë për këta fëmijë nëse nuk zbatohen të gjitha mjetet moderne të trajtimit dhe kontrollit të sëmundjes. Kërkohen hapa konkret.

“Nëse flasim për fëmijët dhe jo vetëm, por në përgjithësi, KOVIDI ka pasur ndikim të madh jo vetëm në Maqedoni por edhe në mbarë botën, rritja e njerëzve, veçanërisht me diabetin e tipit 1 po rritet në mënyrë dramatike. Kjo u reflektua tek ne. Nëse deri para dy vitesh kishim mesatarisht 30 deri në 40 fëmijë në vit, vitin e kaluar, për shembull, në Klinikën e Fëmijëve janë diagnostikuar 70 fëmijë. Këtë vit, që nuk ka kaluar as gjysma, tashmë kemi 30 fëmijë të rinj me diabet të tipit 1.”, u shpreh Natasha Dimitrievska, Shoqata e fëmijëve me diabet.

Pacientët me diabet kërkojnë që Ministria e Shëndetësisë të përfundojë procedurën për ndryshimin e modelit për blerjen e gleukometrave, shiritave dhe aparateve për matjen e sheqerit në gjak të hiqen nga procedura e tenderit për blerjen e insulinës dhe të jenë të disponueshme në të gjitha barnatoret. Dimçe Velev tha se monitorimi permanent me çip elektronik ende nuk është në treg.

“Kërkojmë që shiritat dhe pajisjet të hiqen nga procedura e tenderit për blerjen e insulinës dhe të jenë me çmim referencë të përcaktuar dhe të disponohen në të gjitha barnatoret. Nëse nuk jeni në gjendje të pranoni dhe zbatoni propozimin tonë, atëherë të paktën ndani dy procedurat e tenderit – një tender të veçantë për insulinë dhe terapi të tjera anti-diabetike dhe një tender veçmas për pajisje tjera mjekësore. Bëhet fjalë për rreth 45 mijë, të cilët kanë të drejtë në terapi cilësore dhe pajisje mjekësore cilësore”, theksoi Dimçe Velev, Kryetar i Shoqatës së diabetikëve.

Sa i përket prokurimit publik ata thanë se shteti tashmë ka siguruar mjete, është shpallur tender por ka dështuar. Ndaj kërkojnë që autoritetet shëndetësore ta zgjidhin menjëherë problemin. Pacientët reagojnë edhe për qëndrimin e ministrit të Shëndetësisë Bekim Sali ndaj shoqatave. Ata thonë se në gjashtë muajt e fundit janë përpjekur që të arrijnë tek ai për t’u gjetur zgjidhje problemeve me të cilat përballen në fushën e barnave dhe terapive, por pa sukses./Alsat.mk