Sezoni i dasmave dhe pushimeve verore ka aktivizuar hajnat, policia me këshilla si të mbrojmë shtëpitë tona

Në sezonin e dasmave dhe festimeve të tjera familjare që tashmë kanë filluar në rajonin e Pollogut dhe që së shpejti do të intensifikohet edhe më shumë, vitet e fundit shënjestër e shpeshtë e hajdutëve janë shtëpitë dhe banesat e atyre që festojnë dhe për këtë arsye mungojnë pak a shumë në në shtëpi, si dhe ata që shkojnë me pushime verore. Mungesa e tyre përdoret me mjeshtëri dhe zgjuarsi nga individë, të cilët hyjnë nga dyer të hapura apo dritare të pa mbyllura, kontrollojnë ambientet dhe marrin sende, zakonisht bizhuteri ari apo para.

Sektori për Punë të Brendshme të Tetovës apelon te ata që organizojnë këtë verë apo marrin pjesë direkt si mysafirë në dasma apo festa të tjera, t’i mbyllin dyert e hyrjes dhe të mos i lënë dritaret hapur. E njëjta gjë vlen edhe për ata që shkojnë me pushime verore.

“Gjithashtu, u bëhet thirrje qytetarëve që, nëse vërejnë persona të panjohur, të dyshimtë pranë shtëpive apo banesave të tyre, të lajmërojnë menjëherë në stacionin më të afërt policor ose në numrin e telefonit pa pagesë 192, gjë që do të ndihmojë shumë punonjësit e policisë në identifikimin efektiv të tyre”, thonë nga SPB-Tetovë.

Sektori për Punë të Brendshme Tetovë me këshilla për qytetarët të cilët kanë mundësi të blejnë dhe të vendosin pajisje të përshtatshme alarmi apo video-pajisje të tjera, që ta bëjnë këtë gjë që do të kontribuojë drejtpërdrejt në mbrojtjen më efikase të shtëpive dhe banesave edhe kur nuk janë aty.