Sot pritet zyrtarisht të nisin negociatat për zgjerimin e shumicës

Zyrtarisht sot pritet të fillojnë bisedimet mes qeverisë në krye me kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe ekipit negociues të Aleancës për Shqiptarët për përfshirjen e mundshme të kësaj partie në qeveri. Të dy palët janë shprehur se fillimisht në këto bisedime do të duhet të merren vesh për programin qeverisës ndërsa në fund të flasin edhe për ndarjen e posteve. Përveç Taravarit, në ekipin negociues të ASh-së janë edhe Ziadin Sela, Krenar Lloga, Isen Shabani, Ilire Dauti, Bujare Abazi dhe Elmi Aziri.

Ndërkaq nga LSDM-ja nuk japin detaje se kush do të përfaqësojë qeverinë në këto takime, por thonë se vendit i nevojitet një shumicë me të gjitha partitë politike që janë për anëtarësimin e vendit në BE.

“Aleanca për Shqiptarët është një nga partitë e cila është deklaruar se janë të nevojshme ndryshimet kushtetuese që shteti të vazhdojë rrugën evropiane, këtë e ka deklaruar disa herë, ndërsa në këtë drejtim është e nevojshme të kemi marrëveshje programore dhe e përsëris, secila parti politike e cila është për rrugën evropiane të vendit, dyert i ka të hapura”, tha Darko Kaevski, LSDM.