Tensionet Turqi-Greqi/ Stoltenberg: Shmangëm konfliktin e nxehtë në 2020, jemi të shqetësuar

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleanca ushtarake kishte shmangur një konflikt në vitin 2020 midis Greqisë dhe Turqisë dhe do të ishte e gatshme ta bënte këtë përsëri nëse tensionet midis dy kombeve përshkallëzoheshin në një “konflikt të nxehtë”.

 “NATO ka ngritur një mekanizëm për parandalimin e konflikteve, të cilin e kemi përdorur në vitin 2020, për të vendosur më shumë transparencë dhe për të parandaluar shfaqjen e një spirale të pakontrollueshme tensioni”, tha ai, duke shtuar se “paqëndrueshmëria është e vështirë dhe shqetësuese për NATO-n”.

“Turqia, ashtu si Greqia, është një aleat i vlefshëm, duke luajtur një rol të rëndësishëm në Aleancë. Jemi gati ta bëjmë sërish (të parandalojmë konfliktin)”, ai në një intervistë të publikuar sot në revistën franceze “Le Point”.

“Situata është e vështirë dhe prandaj është e nevojshme që NATO të jetë një platformë ku mund të takohen Greqia dhe Turqia”, shtoi ai, duke pranuar tensionet në marrëdhëniet greko-turke dhe duke shprehur shqetësimin e tij.

I pyetur nëse janë të justifikuara kundërshtimet e Ankarasë në lidhje me anëtarësimin e mundshëm të Suedisë dhe Finlandës në NATO për shkak të lidhjeve të tyre me grupet terroriste, ai u përgjigj: “Unë them se kur shprehen shqetësime të tilla, ne duhet të konsultohemi dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë së bashku për të siguruar që ne të luftojmë terrorizmin së bashku”.

Lidhur me çështjen e Ukrainës, ai shpjegoi se si Aleanca po kërkonte “të siguronte fitoren për Ukrainën pa shkuar në luftë me Rusinë”, por theksoi se “retorika bërthamore e Putinit është e rrezikshme”.