Tubim humanitar në Forinë/ Vazhdon iniciativa për ndërtimin e shtëpisë së Irfan Xhaferit

Shoqatat “Dora e Rinisë” dhe “Diaspora” kanë organizuar tubim humanitar në fshatin Forinë. Organizimi erdhi me rastin e nisjes së punimeve për ndërtimin e shtëpisë së ishluftëtarit dhe invalidit të luftës nga ky fshat, Irfan Xhaferit. Organizatorët para të pranishmive, ku pos bashkëfshatarëve morrën pjesë edhe shumë miq e shokë të Xhaferit, sollën detaje se deri ku ka mbërri iniciativa për këtë vepër humane dhe çka duhet punuar në të ardhmen deri në ndërtimin e shtëpisë për familjen tetë anëtarëshe Xhaferi. Tubimin e hapi, Hasan Ibrahimi, kryetar i shoqatës humanitare “Dora e Rinisë”, i cili pasi dha një raport të shkurtër mbi punët e deritanishme, ftoi të gjithë bamirësit të vazhdojnë me ndihmat e tyre në drejtim të ndërtimit të shtëpisë së Irfan Xhaferit.

Minir Selimi, ish ushtarë i UÇK-së nga fshati Forinë, i cili aktualisht jeton dhe vepron në Zvicër, ka falenderuar për prezencën e tyre në Forinë vëllezërit nga Kosova, të cilët kishin ardhur enkas nga atje për t’i dhënë mbështetje iniciativës për ndërtimin e shtëpisë të bashkëluftëtarit të tyre, Irfan Xhaferi.

Tubimin e ka përshëndetur edhe vetë Xhaferi i cili ka falenderuar të gjithë kontribuesit për ndërtimin e shtëpisë së tij, në veçanti iniciatorin, komandat Hoxhën nga Kosova.

Enver Avdyli, i njohur si komandat Hoxha, njëherit kryetar i shoqatës “Diaspora”, tha se ajo çka ka bërë Irfan Xhaferi për shoqërinë shqiptare është më e pakta si shpërblim që merr me ndërtimin e shtëpisë për të. Ai ftoi të gjithë shqiptarët kudo janë, që të ndihmojnë me aq sa kanë mundësi për ndërtimin e shtëpisë së bashkëluftëtarit të tij.

Komandat Hoxha kishte sjellur nga Republika e Shqipërisë medaljonin “Urdhër nderi i kombit”, që ia dorëzoi Irfan Xhaferit. Ndryshe, në mbyllje të tubimit janë ndarë me dhjetëra mirënjohje nga vetë Irfan Xhaferi për të gjithë ata të cilët kanë ndihmuar deri më tani ndërtimin e shtëpisë së tij. Në fund u bë edhe një herë apel, që gjithësecili me aq sa ka mundësi, të ndihmojnë financiarisht iniciativën që sa më parë Irfan Xhaferit t’i dorëzohen çelsat e shtëpisë.