LajmeMaqedoni

RMV, nuk sanksionohet gjuha e urrejtës në internet, posaçërisht ndaj grave

Në Maqedoninë e Veriut gjatë viteve të fundit janë shpeshtuar rastet e gjuhës së urrejtjes në internet. Të dhënat tregojnë se më të prekura nga ky problem janë gratë, kryesisht fytyra publike por jo vetëm, si dhe pjesëtarët e komunitetit LGBTIQ+. Nga ana tjetër, institucionet nuk po bëjnë aq sa duhet në këtë drejtim, alarmon shoqëria civile dhe raportet ndërkombëtare. Përmes kësaj analize Portalb.mk sjell një pasqyrë të gjerë të problemit.

Gjuhë urrejtjeje me bazë gjinore

Në Maqedoninë e Veriut, gjuha e urrejtjes me bazë gjinore haset nëpër rrjetet sociale, kryesisht në komentet dhe statuset në Facebook, veçanërisht në postimet në faqet e portaleve online. Më të targetuara janë gratë, të cilat zakonisht janë në funksione publike, fytyra publike, gazetare, influencere, por edhe qytetarë të thjeshtë.

Mes shumë shembujsh, mund të përmendim rastin e ministres së Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, e cila ishte shënjestër e gjuhës së urrejtjes dhe ofendimeve në rrjetet sociale. Ngjashëm edhe kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska e cila u përball me gjuhë të urrejtjes me bazë gjinore nga anë të ndryshme. Ka edhe raste të tjera ku cak janë gratë gazetare dhe aktiviste ndërsa krahas figurave publike, edhe qytetarët e thjeshtë madje edhe fëmijët shpesh bëhen pre e kësaj dhune digjitale.

Para disa muajve bujë bënë rastet e dy të miturave të zhdukura në Çair dhe dy vajzave të zhdukura në Qendër – Shkup. Këto dy raste u analizuan përmes një hulumtimi nga Instituti për Studime të Komunikimit ku u morën parasysh mbi 1500 komente në Facebook, rezultati ishte i qartë: “Gjuha e urrejtjes seksiste ndaj vajzave të reja përhapet përmes komenteve në raportet gazetareske në mediat sociale, të cilat janë terren pjellor për zhvillimin e përmbajtjeve dashakeqe dhe shqetësuese me bazë gjinore”.

Thuaj se çdo ditë komente me gjuhë të urrejtjes me bazë gjinore merr aktivistja e të drejtave të grave, Rita Behadini, drejtuese e Qendrës për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja”. Ajo thotë se sulmet më së shpeshti ndodhin online, “aty ku njerëzit mendojnë se jetojnë në një realitet tjetër”.

“Rasti i fundit ka të bëjë pikërisht me gjuhën seksiste të një imami, pas reagimit tim për këtë çështje, filloi avazi i zakonshëm i fyerjeve, ofendimeve dhe kërcënimeve. Kam paraqitur një prej kërcënimeve në polici dhe deri sot nuk kam informacion nëse personi është gjetur ose jo”, thekson Behadini.

Ajo nënvizon mes tjerash se çështjet gjinore prekin burrat, gratë, komunitetin LGBTIQ+ dhe të gjithë shoqërinë, andaj edhe nxisin reagim, pasi njerëzit e kanë të vështirë të pranojnë dhe të hapen ndaj ndryshimeve.

“E gjitha kjo thjeshtë nga mungesa e informacionit, për shkak të propagandave që bëhen pikërisht ndaj këtij komuniteti. Shumica e njerëzve që janë “kundër” këtij komuniteti, nuk e dinë as domethënien e shkronjave LGBTIQ+”, thotë Rita, e cila thekson se mediat shumë shpesh janë nxitës të urrejtjes.

Shifra brengosëse nga regjistri online i urrejtjes

Një mjet ku qytetarët e RMV-së e raportojnë gjuhën e urrejtjes është platforma online govornaomraza.mk ku raportet për raste të gjuhës së urrejtjes analizohen nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut të Republikës së Maqedonisë.

Nga muaji shkurt i vitit 2012 deri në korrik të vitit 2023 në këtë platformë janë regjistruar gjithsej 2074 raste të gjuhës së urrejtjes në internet, të cilat më pas ndahen në kategori të ndryshme.

Show More

Related Articles

Back to top button