Spitalet, punëtorët shëndetësorë dhe pacientët në veri të Gazës duhet të mbrohen përderisa po zhvillohen luftime të ashpra, tha Kryqi i Kuq ndërkombëtar.
“I mbingarkuar, me pak furnizime dhe vazhdimisht më i pasigurt, sistemi shëndetësor në Gazë ka arritur në një pikë pa kthim, duke rrezikuar jetën e mijëra personave të plagosur, të sëmurë dhe të zhvendosur”, tha organizata më 10 nëntor.
Deklarata, ku nuk u përmendën as ushtria izraelite e as Hamasi, që është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, vjen pasi është raportuar për disa sulme në ose afër të paktën katër spitaleve në veri të Gazës.
Dhjetëra mijëra persona ishin strehuar në spitale, duke besuar se aty do të ishin të sigurt. Kryqi i Kuq theksoi se spitalet e fëmijëve kanë pësuar dëme të mëdha nga luftimet mes ushtrisë izraelite dhe luftëtarëve të Hamasit. Të premten, palestinezët evakuuar nga zona e luftës në veri të Gazës thanë se mijëra persona të zhvendosur, që ishin strehuar në spitalin Shifa që gjendet në zemër të qytetit të Gazës, janë larguar pasi gjatë natës aty ka pasur shpërthime.
Në spitalin Shifa ishin strehuar pothuajse 80.000 persona, të cilët kishin ikur nga luftimet e ashpra tokësore dhe nga sulmet ajrore. Disa që u larguan të premten thanë se vetëm disa qindra pacientë të plagosur rëndë dhe mjekë kanë mbetur në spital.
Si pasojë e luftës Izrael-Hamas, që nisi pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, në Rripin e Gazës, janë vrarë mbi 11.000 persona, tha Ministria e Shëndetësisë në këtë territor që udhëhiqet nga Hamasi. Në Izrael, ndërkaq është raportuar për mbi 1.400 të vrarë gjatë sulmit fillestar të Hamasit.