Kryeministri Edi Rama ka qenë mjaft aktiv për çështjen e Gazës në Forumin e Paqes në Paris.
Pasi doli me një propozim konkret për frenimin e konfliktit që rrezikon të destabilizojë mbarë rajonin e më gjerë, duke kërkuar që nën mandatin e OKB-së, një forcë ndërkombëtare e udhëhequr nga Lidhja Arabe, mund të marrë përkohësisht kontrollin e Gazës, shefi i ekzekutivit është takuar në kryeqytetin francez me liderë e zyrtarë të ndryshëm.
Ata kanë rënë dakord se përplasja e dhunshme e dy palëve atje dhe vuajtjet e tmerrshme që shkakton lufta në Gaza, duhet të marrin fund. Zgjatja e këtij makthi, sipas tij, çon ujë në mullirin e Hamasit.
“Si një anëtar i përkushtuar i NATO-s, ne shohim një model shqetësues, një angazhim të keq për të shkaktuar konflikte dhe për të mbjellë kaos në hemisferën veriore, përfshirë Ballkanin Perëndimor. Këta agjentë të kaosit duhet të ndalen dhe të mposhten. Fatkeqësisht, zgjatja e vuajtjeve të civilëve në Gaza vetëm ushqen ambiciet e Hamasit dhe agjentëve të tjerë të kaosit. Ndihem i inkurajuar nga përkushtimi i mikpritësit tonë këtu në Paris, Presidentit Macron të Francës, i cili, të shtunën, më 10 nëntor, bëri thirrje me forcë për një armëpushim të menjëhershëm. Jam dakord me vlerësimin e Presidentit Macron se një armëpushim do të përfitonte gjithashtu edhe Izraeli”, shkruan Rama.
Rama argumenton se si vend paqësor e shumëfetar, fundi i menjëhershëm i vuajtjeve civile të popullit palestinez dhe Izraelit dhe një paqe e qëndrueshme midis këtyre dy kombeve është me interes strategjik për Shqipërinë.
Duke u vendosur në rolin e një lideri botëror për këtë çështje, kryeministri theksoi se do të vazhdojë të punojë me udhëheqës të tjerë dhe zyrtarë të tjerë me qëllim arritjen e rezultateve të prekshme të një ngërçi kaq të ngutshëm sa ky.
Edhe një herë, kreu i qeverisë theksoi se ripushtimi i Gazës është i papranueshëm dhe se me lirimin e pengjeve, Izraeli duhet të tërheqë të gjithë forcat nga ky territor.