LajmeSport

Tenis: Federer paralajmëron lamtumirën

“Nuk ka më nevojë për tenisin për të qenë i lumtur”.

Pak ditë më parë, kur udhëtonte drejt Londrës për të qenë në Wimbledon, Roger Federer deklaronte se synonte të luante në turneun londinez vitin tjetër. Ndërsa sot, për mediat holandeze ka pohuar se “nuk ka më nevojë për tenisin për të qenë i lumtur”.

Kjo deklaratë është “një rrufe në qiell të hapur”, e thënë nga një prej ikonave të sportit botëror, që nuk luan prej një viti për shkak të operacionit. Fituesi i 20 grand slam ka deklaruar se synon të jetë në turneun e organizuar prej tij “Laver Cup”, por ndoshta do ta shohim vetëm si spektator.

Të gjithë presin që ai të luajë bashkë me Nadal në lojën dyshe, por ndoshta fansat do të zhgënjejen. Ndërsa në tetor, Federer ka planifikuar të luajtur në turneun e shtëpisë, në Bazel.

“Nëse nuk je më kompetitiv, atëherë është më mirë të mos luash më. Mendoj se nuk kam më nevojë për tenisin. Për të qenë i lumtur më mjaftojnë gjërat e vogla, “fitoret” e vogla të djalit tim, apo notat e mira në shkollë të vajzës time”, tha Federer.

Deklaratë që ka shijen e një lamtumirë nga sporti. “Tenisi është pjesë e jetës time, por unë nuk mund të identifikohem vetëm me këtë gjë. Dua të kem ende sukses, të vendos energjitë e mia në biznese të tjera dhe këtë gjë mund ta bëj edhe jashtë sportit”, u shpreh zvicerani.

“E pranoj, një karrierë sportive nuk mund të zgjasë përgjithnjë. Të udhëtosh anembanë botës në turne është e lodhshme, pasi duhet të organizosh gjithçka edhe për fëmijët. Është më mirë të marr një pushim edhe për të mirën e tyre. Ndonjëherë më mungon fakti të udhëtoj në botë, por ndjej që jeta në familje është e bukur”, tha Federer.

Show More

Related Articles

Back to top button