Me iniciativë të organizatës “Gazetarët për të drejtat e njeriut”, nga muaji dhjetor fillon zbatimi i sistemit alarmues Amber Alert – Më gjej, për gjetjen e shpejtë të fëmijëve të zhdukur.
Sistemi për paralajmërim të hershëm të fëmijëve të humbur, shihet si shpresë edhe për fëmijët që tashmë një kohë të gjatë janë të zhdukur, duke i njoftuar qytetarët përmes më shumë mjeteve, si elektronike, ashtu edhe institucionale.
“Do të përfshihen shumë institucione, si bankat: fotografia e një fëmije të humbur do të shfaqet në bankomat kur doni të tërhiqni para, kompanitë e taksive, transporti publik i qytetit, operatorët celularë, në recepsionin e hotelit do të jetë foto e personit të zhdukur… Fillimisht do të përfshihen vetëm fëmijët dhe më pas të rriturit, për të cilët Ministria e Punëve të Brendshme i ka cilësuar si të zhdukur”, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë, Natasha Dokovska, nga organizata “Gazetarët për të drejtat e njeriut”.Tashmë është në funksion dhe ueb-faqja në internet “Më gjej”.
Në ueb faqen Më gjej pa pagesë mund të krijohet profil për fëmijët e zhdukur, por vetëm pasi rasti të jetë paraqitur në organet e policisë maqedonase.
Kjo iniciativë është mbështetur nga dikasteri i policisë, ndërkohë pritet të bëhet pjesë e sistemit Ambert Alert-Më gjej Maqedoni, dikasteri i Punës dhe Politikës Sociale si dhe ai i Shëndetësisë dhe Arsimit.
Në bazë të të dhënave zyrtare në këtë vend nga viti 2020 deri më 27 tetor të vitit 2023, janë zhdukur 74 fëmijë të mitur, 65 prej të cilëve janë gjetur, përderisa nëntë prej tyre vazhdojnë të jenë të zhdukur.
Në mesin e fëmijëve të zhdukur është dhe Petar Xhobeski 10-vjeçar nga fshati Vrpsko nga Mariova, i cili ka humbur gjurmë më 25 shkurt të këtij viti.
Petari, i cili është fëmijë me nevoja të veçanta, takimin e fundit me prindërit e ka pasur derisa po kontrollonte bletët në kodrinën pranë fshatit.
Fotografia e Petarit gjendet në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme në mesin e personave të zhdukur.
“Deri në këtë moment personi në fjalë nuk është gjetur. Për të vazhdojnë kërkimet”, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë nga dikasteri i policisë.
Prindërit thonë se çdo ndihmesë për t’i gjetur fëmijët, është shumë e rëndësishme pasi në shumë raste fëmijët humbin jo vetëm nga dashakëqijtë, por dhe një neglizhencë e vogël ose kurioziteti i fëmijëve për të eksploruar rrethin.
“Gjatë pushimeve verore më ndodhi që në plazh të mos mund ta gjej djalin. Ata pak minuta mua m’u dukën si një përjetësi”, thotë Angela Jovanovska.
Nga ana tjetër, Hanife Emini nga lagja Gazibabë e Shkupit, thotë se vajza e saj 8 vjeçe gjatë verës me shoqet është larguar për disa minuta deri në parkun përballë lagjes. Një orë kërkimi për të mbetet një dhembje e përjetshme.
Amber Alert u krijua në vitin 1996 në SHBA, pas humbjes së një vajze 9-vjeçare, Amber Hagerman, e cila u rrëmbye dhe më pas u gjet e vrarë në Teksas.
Humbja e 9-vjeçares Amber zgjoi shoqërinë, institucionet dhe ligjvënësit amerikanë, të cilët së bashku vendosën të krijonin një sinjal emergjence njoftimi, sa herë që një fëmijë i zhdukur mendohet të jetë në rrezik për jetën ose të shfrytëzohet.
Ky sistem zbatohet dhe në shumë vende të Evropës, si Belgjika, Franca gjermania, Greqia, Malta, Irlanda Polonia, Bullgaria, Italia, Holanda.
Tani sistemi Amber Alert është vendosur edhe në Shqipëri, Kroaci, Serbi, ndërkohë ka iniciativë të vihet në funksion edhe në Bosnjë e Hercegovinë.
Nga organizata joqeveritare “Gazetarët për të drejtat e njeriut” theksojnë se është më se i rëndësishëm funksionimi i sistemit Amber Alert në të gjitha vendet fqinje, pasi në këtë mënyrë më së lehti kontrollohet rrjedha e informacioneve që ndërlidhet me fëmijët e zhdukur.