“Propozim ligji për tregti jo korrekte për dikë nënë e për dikë njerkë”, reagojnë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore duke thënë se shteti duhet të lërë tregun e lirë dhe mos të ndërhyjë. Disa nga vërejtjet e OEMVP-së janë lidhur me përfitimet e mundshme të distributorëve në zinxhirin e tregut në shitjen me pakicë, ndërsa mund të dëmtohen prodhuesit dhe tregtuesit e produkteve ushqimore. Kreu i kësaj Ode, Mendi Qyra tha se shteti ka ndërmarr hapa të gabuar me masa për të rregulluar tregun.
“Nuk pajtohemi me kufizimet nga Qeveria, sepse do të dëmtojnë një palë dhe do të lehtësoj palën tjetër, do të dëmtoj prodhuesit dh elehtësoj tregtarët ose anasjelltas, varet çfarë masa do të marrin. Qëndrojmë në atë që të vazhdoj kjo formë e veprimit që të mos ndikoj qeveria me masa e mekanizma të tjerë, përndryshe fitimi do të jetë aq sa e përcakton tregu i lirë përmes ofertës dhe kërkesës”, tha Mendi Qyra, Kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore.
Se politika po ndërhynë në çështjet ekonomike, janë të mendimit edhe nga Oda Ekonomike. Kristofer Sanders, këshilltar në këtë Odë tha se edhe investitorët e huaj mund të heqin interesimin nga masat që përkufizojnë fitimin me ligj. Sanders tha se politikat e gabuara po shkatërrojnë vizionin e biznesit, duke thënë se Maqedonia është një treg i vogël dhe shumë i varur nga importi i mallrave.
“Patjetër duhet të kesh një vizion real se ku po shkon, përgjegjësi të përcaktuara dhe një strategji që do të zbatohet dhe këto janë mjete shumë të thjeshta biznesi. Por fatkeqësisht, politika në këtë rajon i shkel të gjitha këto aspekte. Si prisni që ndonjë kompani të investojë këtu kur aspirata e vetme e njerëzve është të bëhen anëtarë të BE-së? Sa njerëz do të largohen nga ky vend sapo të ndodhë kjo? Ku janë punëtorët në të ardhmen kur kjo të ndodhë?”, deklaroi Kristofer Sanders, Këshilltar i posaçëm në Odën Ekonomike të Maqedonisë.
Autoritetet thanë se gjatë kësaj jave do ti shqyrtojnë të gjitha vërejtët e bëra nga Odat ekonomike lidhur me propozim ligjin për tregti jo korrekte. Me ngritjen enorme të çmimeve të produkteve ushqimore gjatë krizës prej prodhuesve dhe tregtarëve, nga Ministria Ekonomisë dolën me një draft që fitimi të kufizohet maksimum 10% dhe të eliminohen praktikat jo korrekte që do të monopolizonin tregun. Ky propozim pritet që të merr dritë jeshile në Qeveri dhe pastaj të procedohet në Kuvend për miratim me flamur evropian deri në fund të këtij viti, në mënyrë që me shkrirjen e çmimeve ushqimore të mos shtrenjtohen sërish pas vitit të ri, por masat të zëvendësohen më këtë ligj të ri, thonë autoritetet.