Maqedonia e Veriut ka arritur progres të kufizuar këtë vit në kapitullin Mjedisi dhe ndryshimet klimatike, thekson Komisioni Evropian në Raportin e fundit për vendin. Rekomandimet e vitit të kaluar janë përmbushur pjesërisht dhe në vitin e ardhshëm duhet të punohet në tre pika veçanërisht.
Nga Komisioni Evropian kërkojnë që muajt e ardhshëm vendi t’i shfrytëzojë për përmirësimin e sistemit rajonal të menaxhimit të mbeturinave në rajonet lindore dhe verilindore, ku tashmë për një periudhë të gjatë ka ngecur procedura për ekzekutimin e deponisë rajonale që duhet të ndërtohet afër fshatit Meçkuevci, Komuna e Shën Nikollës.
Zbatimi është një sfidë e rëndësishme në të gjithë sektorin e menaxhimit të mbetjeve, theksoi Komisioni Evropian. Ata shtojnë se procesi i mbylljes së deponive jo standarde në pjesën lindore të vendit është në vijimësi. Në të njëjtën kohë, njihet se në fushën e menaxhimit të mbetjeve, në shtator 2022 u miratua Plani i parë Kombëtar i Parandalimit të Mbetjeve për periudhën 2022-2028.
Komisioni Evropian është veçanërisht i shqetësuar për ndotjen e ajrit nëpër vendbanime. Në vitin e ardhshëm duhet të punohet veçanërisht për zbatimin e masave specifike për uljen e ndotjes së ajrit, por edhe të burimeve ujore të freskëta të vendit.
“Ndërsa ndotja e ajrit mbetet shqetësim kryesor për qytetet e mëdha, është bërë përparim i kufizuar në monitorimin e cilësisë së ajrit dhe nuk është bërë asnjë zhvillim legjislativ për cilësinë e ajrit gjatë periudhës raportuese. Rrjeti i monitorimit automatik vazhdoi të mirëmbahej dhe u përmirësua me një stacion të ri që funksiononte në Ohër. Në vitin 2022 janë finalizuar kadastrat për shkarkime në ajër për Kërçovë, Koçan, Shtip, Kavadar, Gjevgjeli dhe Prilep, ndërsa ato për Veles, Tetovë, Gostivar dhe Strugë janë ende në zhvillim e sipër. Planet për cilësinë e ajrit janë miratuar për komunën e Gostivarit në shkurt 2023 dhe për komunën e Kumanovës në dhjetor 2022”, thuhet në Raportin e KE-së për vitin 2023.
Shumë më tepër punë duhet bërë në periudhën e ardhshme në fushën e ndryshimeve klimatike. KE kritikon se Ligji për veprim klimatik nuk është miratuar nga parlamenti, megjithëse Plani Kombëtar i Energjisë dhe Klimës për periudhën 2021-2030 u miratua në qershor 2022. Qeveria duhet të punojë në zbatimin e dispozitave të Marrëveshjes së Parisit për ndryshimet klimatike, si dhe të miratojë Planin Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike.
Në raport, Komisioni Evropian u kërkon autoriteteve të forcojnë ndjeshëm shërbimet administrative dhe inspektuese në fushën e mbrojtjes së mjedisit.
Në aspektin e legjislacionit horizontal, Maqedonia e Veriut duhet të intensifikojë punën për të arritur përputhjen e plotë me Direktivat e BE-së për vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe vlerësimin strategjik mjedisor, thuhet në Raportin e Progresit të vendit për vitin 2023.
“Vendi ende nuk ka respektuar Direktivën e Përgjegjësisë Mjedisore dhe Direktivën e Krimit Mjedisor. Mungesa e stafit të specializuar dhe kapaciteti i dobët institucional dhe administrativ dëmton kontrollin e cilësisë dhe performancën e vlerësimeve të ndikimit në mjedis”, theksohet në Raportin e KE-së.
Në fushën e menaxhimit të ujërave, vendit i kërkohet të vazhdojë harmonizimin e legjislacionit kombëtar me ligjin e BE-së. Vërehet progresi në përfundimin me sukses të tenderit për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup, si dhe projektin për rrjetin e kanalizimit në Kërçovë. Komisioni Evropian thotë se legjislacioni në lidhje me Direktivën e BE-së për trajtimin e ujërave të zeza duhet të zbatohet.
Për sa i përket mbrojtjes së natyrës, KE vë në dukje se procesi për përcaktimin e Blatos Studençishko, Kanionit Matka, Liqenit të Ohrit dhe Belçishkos si zona të mbrojtura ende nuk ka përfunduar.
Ligji për natyrën ende nuk është harmonizuar me legjislacionin evropian, pra me direktivat e BE-së për habitatet dhe shpendët e egër.
“Fondet kombëtare të disponueshme për mbrojtjen e natyrës janë rritur, por ende nuk janë të mjaftueshme. Mungesa e fondeve të qëndrueshme dhe kapaciteteve administrative për të menaxhuar zonat e mbrojtura mbetet një sfidë e madhe”, thuhet në Raportin e Komisionit Evropian.
Për mbrojtjen e liqeneve, KE thekson se është arritur progres në bashkëpunimin ndërkufitar për mbrojtjen e Liqenit të Prespës në takimet e Komitetit të Menaxhimit të Parkut të Prespës dhe Grupit të Punës për Menaxhimin e Ujërave. Megjithatë, përkundër kësaj, zbatimi i rekomandimeve të UNESCO-s për trashëgiminë natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit mbetet i pamjaftueshëm.
Kritika nga Komisioni Evropian ka edhe në fushën e ndotjes industriale dhe menaxhimit të rrezikut, duke shtuar se Ligji për emetimet industriale ende nuk është miratuar dhe nuk ka zhvillim në fushën e dhënies së lejeve të integruara. Në të njëjtën kohë, në periudhën raportuese nuk është bërë ndonjë zhvillim domethënës në fushën e mbrojtjes nga kimikatet dhe ndotja akustike.
Kujtojmë se Bashkimi Evropian (BE) ka përgatitur një plan rritjeje prej 6 miliardë eurosh për të përafruar ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor me ato evropiane.
Komisioni Evropian njoftoi propozimin e planit të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor që ka për qëllimin stimulimin e rritjes ekonomike dhe të përshpejtojë përafrimin socio-ekonomik.
Sipas planit të përgatitur me qëllimin për të përshpejtuar procesin e zgjerimit dhe për të mbështetur reformat dhe investimet që do stimulojnë rritjen ekonomike, do të krijohet një fond i ri i Reformës dhe Rritjes prej 6 miliard eurosh për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027.
Nga këto, 2 miliardë euro do të përbëhen nga grantet dhe 4 miliardë euro nga kredi të privilegjuara.
Me këtë burim, do të synohet përputhshmëria e Ballkanit Perëndimor me Tregun e Vetëm dhe rritja e integrimit ekonomik.
Në plan, fushat prioritare do të jenë lëvizja e lirë e produkteve, shërbimeve dhe punëtorëve, qasja në zonën Evropiane të pagesave, lehtësimi i transportit rrugor, integrimi i tregjeve të energjisë dhe zinxhirëve të furnizimit.
Përmes Tregut të Përbashkët Rajonal të bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së, do të zgjerohet më tej integrimi ekonomik në Ballkanin Perëndimor.
Në mënyrë që propozimi në fjalë të hyjë në fuqi, është e nevojshme që kjo të miratohet nga Parlamenti Evropian (PE) dhe vendet anëtare.
Plani synon të rrisë marrëdhëniet ekonomike të BE-së me Shqipërinë, Kosovën, Bosnje e Hercegovinën, Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.