Ka filluar sot edicioni i pestë i manifestimit kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit” me rastin e shënimit të 115 vjetorit të Kongresit të Manastirit.
Ndër panelistët e ftuar është dhe akadamiku, profesori, Abdylmenaf Bexheti, i cili është dhe anëtar i Akademisë së Shkencave në Maqedoninë e Veriut.
Bexheti në fjalimin e tij tha se dikur salla e qeverisë ishte hapësirë e ndaluar për shqiptarët, ndërsa sot në këtë vend mbahen manifestim për festat e nëntorit.
“Jemi krenar që e kemi qytetin e Manastirit që na mbledh gjithmonë në festat e nëntorit, kemi gjuhën dhe dimë rëndësinë e saj. Dikur kjo sallë në të cilën jemi mbledhur ishte e ndaluar për shqiptarët, ndërsa sot shënojmë dhe kremtojmë festat tona, ditën e alfabetit të gjuhës shqipe.Dikur kishim të ndaluar gjuhën edhe në shkolla e jo më në Qeveri, mirëpo sot mund të them se jemi mirë, pavarësisht se kemi ende mendime të tilla të vjetërsuara për shqiptarët dhe gjuhën shqipe. Fatkeqësisht institucioni prej ku unë vi, ende ka një bindje të gabuar për shqiptarët, që kur flas unë, gjysma e kolegëve të mi maqedonas e lëshojnë sallën! Duhet të jemi të vetëdijshëm për këto pengesa, duhet kërkuar gjithmonë atë që na takon dhe të avansojmë zhvillimin sa më të drejtë të gjuhës shqipe. Urime festat e nëntorit!”, deklaroi Bexheti.