BotaLajme

Zbrazet veriu i Gazës, përkeqësohet kriza humanitare në jug

Edhe 200.000 persona janë larguar nga veriu i Gazës që nga 5 nëntori, tha Zyra humanitare e Kombeve të Bashkuara, përderisa forcat izraelite po vazhdojnë përleshjet me luftëtarët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – rreth spitaleve, ku pacientët, foshnjat dhe punëtorët shëndetësorë kanë mbetur pa rrymë e me pak furnizime.

Zyra humanitare e OKB-së, e njohur si OCHA, tha se vetëm një spital në veri është në gjendje që të pranojë pacientë. Të gjitha spitalet e tjera më nuk janë funksionale dhe shumica shërbejnë si vendstrehim, përfshirë edhe spitalin më të madh të Gazës, Shifa, i cili është i rrethuar nga trupat izraelite. Në këtë spital, 36 foshnja janë në rrezik që të vdesin pasi nuk ka energji elektrike për funksionalizimin e inkubatorëve.

Lufta, që tani është në javën e gjashtë, u nxit nga sulmet befasuese të Hamasit në Izrael më 7 tetor. Hamasi vrau të paktën 1.200 persona dhe mori afër 240 pengje. Izraeli është kundërpërgjigjur ashpër me sulme ajrore dhe tokësore në veri të Gazës. Si pasojë e luftës janë vrarë mijëra civilë palestinezë.

Izraeli u ka bërë thirrje civilëve që të largohen nga veriu i qytetit të Gazës për në jug. Por, as pjesa jugore nuk është e sigurt, pasi atje Izraeli po kryen sulme ajrore.

Vendstrehimet e udhëhequra nga OKB-ja janë të stërmbushura dhe një tualet mesatarisht është për 160 persona. Në të gjitha vendstrehimet janë afër 1.5 milion palestinez, apo më shumë se dy e treta e popullsisë së Gazës, të cilët janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Banorët presin me orë të tëra në rradhë për ushqim dhe ujë, përderisa kjo enklavë ka mbetur pa karburante. Izraeli ka ndaluar importet e karburanteve që kur ka nisur lufta, duke thënë se Hamasi i përdor karburantet për qëllime ushtarake.

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, që mezi po ofron shërbimet bazike për mbi 600.000 persona të strehuara në shkollat dhe ndërtesat e tjera të saj në jug, tha se deri të mërkurën mund t’i përfundojnë rezervat me karburante, duke e detyruar këtë agjenci që të ndalë shumicën e operacioneve të ndihmës. Kjo agjenci e OKB-së tha se nuk është në gjendje të vazhdojë dërgimin e furnizimeve ushqimore dhe ilaçeve përmes pikëkalimit Rafah, që lidh Gazën me Egjiptin.

Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi këtë javë nuk ka përditësuar të dhënat e viktimave. Por, sipas të dhënave të fundit, që datojnë nga 10 nëntori, në Gazë janë vrarë mbi 11.000 palestinezë, dy e treta e të cilëve gra dhe fëmijë. Kjo ministri nuk bën dallimin midis civilëve të vrarë dhe luftëtarëve të Hamasit. Afër 2.700 persona janë raportuar të zhdukur.

Zyrtarët shëndetësorë kanë thënë se nuk kanë përditësuar numrin e viktimave pasi po kanë vështirësi në mbledhjen e informacioneve.

Në Izrael, të paktën 1.200 persona janë vrarë gjatë sulmeve të Hamasit. Ushtria ka thënë se 46 ushtarë janë vrarë gjatë operacionit tokësor në Gazë, duke shtuar se kanë vrarë mijëra luftëtarë të Hamasit.

Show More

Related Articles

Back to top button