LajmeRajon

Kosovë, në veri vijon ri-regjistrimi i automjeteve me targa “RKS”

Rreth 1.500 automjete me tabela ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” janë riregjistruar me tabelat legale “RKS” brenda dy javëve në veriun e banuar me shumicë serbe të Kosovës, raporton Anadolu.

Në një nga Qendrat e Kontrolleve Teknike të automjeteve në pjesën veriore të Mitrovicës po vazhdon kontrollimi teknik i automjeteve me tabela ilegale, të cilat më pas presin të hynë në procesin e marrjes së tabelave “RKS”.

Zv/drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani, konfirmoi se numri i serbëve të Kosovës që i kanë ndërruar tabelat nga ato ilegale në “RKS” nga 1 nëntori deri më tani ka shkuar në rreth 1.500.

Qytetarët në Mitrovicë të Veriut, të cilët ishin duke bërë kontrolle teknike të automjeteve me qëllim ri-regjistrimin, nuk ishin të disponuar për të folur për media. Një nga të paktët që u pajtua është Dragan Kostiq nga fshati Sllatine, afër Vushtrrisë, i cili jeton në fshatin Grabovc të komunës së Zveçanit që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999.

“Sot kam ardhur për të ri-regjistruar këtë veturë nga “KM” në “RKS”. Vendosa sepse nuk ka rrugëdalje tjetër. Ju jetoni në një vend, të cilin ne nuk e njohim, por është i njohur realisht, e gjithë bota e pranoi, e unë kinse nuk dua”, tha Kostiq.

Kostiq tha se deri më tani ai mund të drejtonte lirisht automjetin e tij me targa “KM”. Ai shtoi se edhe vitin e kaluar ka qenë i vetëdijshëm që duhet të ri-regjistrohet, por ka pasur frikë se mos i digjej vetura ose mos e rrihnin.

Një pjesë tjetër e qytetarëve serb të cilët jetojnë në veri të Kosovës ka zgjedhur që veturat me targa ilegale t’i ri-regjistrojnë në Serbi, si mundësi e dytë për t’i ikur sanksioneve të mëvonshme nga autoritetet kosovare.

Në këtë pjesë të vendit lehtësisht mund të vihen re veturat me targa të lëshuara nga Serbia, si “BG” (Beograd), “NP” (Novi Pazar), “KG” (Kragujevac), “LE” (Leskovac) dhe të tjera.

Pas kërkesës së pranuar nga Drejtoria e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Qeveria e Kosovës më 30 tetor mori vendim për shtyrjen e afatit që mundëson ri-regjistrimin e automjeteve me tabela ilegale deri në fund të nëntorit.

Pas datës 1 dhjetor të vitit 2023, sipas vendimit të Qeverisë, pronarët e mjeteve të pajisura me tabelat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, të cilët vlerësohen të jenë rreth 10 mijë, nuk do të kenë më mundësinë që këto mjete t’i regjistrojnë me tabela “RKS” dhe as të hyjnë apo të qarkullojnë brenda dhe përmes territorit të Republikës së Kosovës.

Çështja e tabelave ka shkaktuar disa herë me radhë kriza në veri. Më 31 korrik të vitit 2022 u ngritën barrikada në rrugët kryesore të komunave veriore me shumicë serbe, ndërsa në nëntor të po të njëjtit vit serbët u larguan nga institucionet qendrore dhe lokale të Kosovës për shkak të suspendimit të drejtorit të policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili nuk pranoi të zbatonte vendimin e qeverisë për tabelat.

Show More

Related Articles

Back to top button