Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi sot projekt-buxhetin për vitin 2024 që është parashikuar të jetë 5.5 miliardë euro.
Qeveria e cilësoi atë si buxhet “zhvillimor dhe të qëndrueshëm”, por edhe një buxhet që ka të gjitha karakteristikat për të “mbështetur njëkohësisht zhvillimin, por edhe për të siguruar qëndrueshmëri fiskale”, përcjell INA.
Ana e shpenzimeve është parashikuar në 343,6 miliardë denarë ose 5,8 për qind më shumë se në vitin 2023, ndërsa të hyrat prej 310,1 miliardë denarë janë për 10 për qind më të larta. Deficiti buxhetor është rreth 9,2 miliardë denarë, më i ulët se në vitin 2023, që sipas Qeverisë do të thotë më pak huamarrje për rreth 150 milionë euro.
Propozim-buxheti për vitin 2024, siç tha në konferencën e sotme kryeministri Dimitar Kovaçevski, është përgjigje ndaj nevojave dhe gjendjes në të cilën ndodhet ekonomia e Maqedonisë së Veriut.
Sipas tij, me këtë buxhet garantohen pagesat e rregullta të pagave, pensioneve dhe ndihmës sociale, si dhe plotësimi i nevojave të tjera të qytetarëve dhe shërbimin e detyrimeve të shtetit.
“Buxheti për vitin 2024 do të jetë një shtyllë e rimëkëmbjes ekonomike dhe përshpejtimit të rritjes ekonomike. Ai do të sigurojë qëndrueshmëri fiskale përmes zbatimit të mëtejshëm të procesit të konsolidimit fiskal. Buxheti do të jetë bazë e mirë për rritjen dhe përshpejtimin e realizimit të projekteve të infrastrukturës, tërheqjen e investimeve të huaja, inovacionin e kompanive vendore, mbështetjen e ekonomisë vendase, sektorit privat dhe qytetarëve, si dhe për intensifikimin e konvergjencës së Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt BE-së. Gjithashtu do të mundësojë kryerjen e rregullt të të gjitha obligimeve ligjore, përfshirë edhe obligimet që dalin nga anëtarësimi në NATO”, tha Kovaçevski.
Ministri i Financave, Fatmir Besimi, në fjalën e tij tha se buxheti është përgatitur në kohë jashtëzakonisht të vështirë globale, kur është e vështirë të parashikohen gjërat.