Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti i shoqëruar me shefin e kabinetit të tij, Artan Grubin, ka takuar të dërguarin e posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, ambasadorin René Troccaz, përcjell TV21. Në takim ka qenë prezent edhe ambasadori i tanishëm i Francës në RMV, Cyrille Baumgartner, ish-ambasadori Bernard Valero si dhe Mathie Abgrall, nga Misioni i Europës Ballkanike në kuadër të Ministrisë së Europës dhe Punëve të Jashtme të Republikës së Francës.
“Për gati tre orë kryetari Ahmeti me të dërguarit francez kanë shtjelluar zhvillimet politike në vend dhe rajon duke u përqëndruar kryesisht mbi ndryshimet kushtetuese dhe integrimin europian, përfshirë këtu edhe zgjedhjet në vend, si dhe dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Pa ndryshimet kushtetuese, rruga europiane është e bllokuar, kështu është theksuar në takim ndërkohë që pengesa e miratimit të amendamenteve kushtetuese është bllokim i qëllimshëm i integrimit europian. Qytetarët dhe vendi nuk kanë kohë për kalkulime për përfitime partiake në kurriz të së ardhmes së tyre europiane. Ndërkohë, sa i përket dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, kryetari Ahmeti ka theksuar se njohja e ndërsjellë është zgjidhja e vetme që garanton paqen, sigurinë dhe stabilitetin në mbarë rajonin”, thuhet në njoftimin e BDI-së.
Ndryshe vetëm para dy dite, në takim vetëm me ambasadorin francez në vend ishin edhe përfaqësuesit e LEN-it, Izet Mexhiti, Afrim Gashi dhe Bilall Kasami.
“Në këtë takim, të tre liderët e Lidhjes Europiane për Ndryshim e njoftuan ambasadorin francez për zhvillimet e fundit politike, siç është formimi i koalicionit të partive opozitare shqiptare, i cili tashmë njihet si Lidhja Evropiane për Ndryshim. Në fokus të takimit ishte edhe tema e procesit të integrimit evropian, si dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, qëndronte në njoftimin e opozitës shqiptare.
Kujtojmë se zgjidhja për kontestit me Bullgarinë fillimisht në opinion u plasua si “propozimi francez”, pas çka Qeveria e Maqedonisë së Veriut doli me versionin e saj, respektivisht “propozimin e modifikuar francez”. Vendi për të hapur kapitujt në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian duhet që të fusë pakicën bullgare, por edhe disa popuj tjerë, në Preambulën e Kushtetutës, për këtë nevojitet realizimi i ndryshimeve kushtetuese, për çka duhet shumicë prej 2/3 në Kuvendin e RMV-së, konkretisht 80 vota./tv21.tv