Gjykata Penale kërkon që gjykatësja në rastin “Llaskarca” e cila ditë më parë u zgjodh për gjykatëse në Apel të mbetet e deleguar deri në gjykimin e rastit. Sipas shkallës së parë, Aleksandra Ristevska duhet të mbetet në trupin gjykues pasi procesi është në fjalët përfundimtare dhe tashmë janë caktuar disa seanca për javët që pasojnë.
“Gjykatësja në fjalë të mbetet përkohësisht e deleguar në Gjykatën Penale deri në shpalljen e aktvendimit për rastin “Llaskarca”. Gjykimi për këtë rast është në fazën e fjalëve përfundimtare dhe tashmë janë caktuar katër seanca gjyqësore për nëntor dhe dhjetor. Kërkesa bazohet në arsyetimet ekonomike dhe efikasitetin e procedurës me qëllim anashkalimin e zvarritjeve të panevojshme, për shkak se referuar dispozitave ligjore me ndryshimin e trupit gjykues procesi rikthehet në fillim duke filluar nga dëshmitë verbale, materiale dhe konstatimet e ekspertëve”, thonë nga Gjykata Penale Shkup.
Koalicioni “Të gjithë për gjykime të drejta” reagoi ndaj vendimeve të djeshme të Këshillit Gjyqësor për zgjedhjen e 8 gjykatësve në Apel pa respektuar ranglistën e miratuar nga vetë këshilli.
“Këshilli Gjyqësor gjatë përzgjedhjes së gjykatësve në Apel përsëri shkeli mbi ranglistën e kandidatëve, pa dhënë arsyetimet e duhura për çdo anashkalim, përkatësisht për çdo kandidat veç e veç. Në vend të kësaj, anëtarët e këshillit konstatuan se për shkak të lëshimeve në metodologjinë për radhitjen e kandidatëve do të ketë “parametra tjerë përcaktuar dhe kritere” pa dhënë arsyetimin se cilat janë kriteret që merren parasysh dhe ku bazohen”, thonë nga Koalicioni “Të gjithë për gjykime të drejta”.
Ditë më parë Këshilli Gjyqësor në mesin e gjykatësve për Apel zgjodhi edhe Osman Shabanin që gjykon rastin “Titanik 1” dhe “Talir” si dhe gjykatësen Aleksandra Ristevska e cila gjykon në rastin “Llaskarca”. Në rast se ata nuk delegohen në Penale deri në fund të gjykimeve, tre lëndët rrezikojnë të rikthehen nga fillimi, ndërsa “Titanik 1” dhe “Talir” rrezikojë vjetërsimin absolut duke u bazuar në Kodin e ri penal. Këshilli nuk respektoi listën e gjykatësve të ranguar duke diskualifikuar kështu dy gjykatësit me vlerësimet më të larta si Olja Ristova dhe Betim Jahja. Mbështetje nuk morri as Llazar Nanev, aktualisht kryetar i Gjykatës Themelore në Kavadarc.