BotaLajme

Erdogan viziton Gjermaninë në kohën kur dallimet për luftën Izrael-Hamas po zgjerohen

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan do të pritet të premten në Berlin në kuadër të një vizite që po i bën Gjermanisë në kohën kur dy shtetet kanë qëndrime të ndryshme për luftën e Izraelit me Hamasin, grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Erdogan do të takohet me kancelarin Olaf Scholz dhe presidentin Frank-Walter Steinmeier. Kancelari Scholz e kishte ftuar presidentin turk në vizitë në muajin maj, pas rizgjedhjes së tij për president.

Turqia shihet si një partner i vështirë, por thelbësor në Gjermani, shteti në të cilin jetojnë më shumë se 3 milionë njerëz me prejardhje turke.

Edhe pse ka pasur tensione në vitet e fundit, shteti gjithashtu është aleat i NATO-s në përpjekjet për të kontrolluar fluksin e refugjatëve dhe emigrantëve në Evropë.

Kjo vizitë ka mbetur nën hije pas rritjes së hendekut midis qëndrimeve të dy vendeve sa i përket ngjarjeve pas sulmit të grupit ekstremist palestinez Hamas ndaj Izraelit më 7 tetor.

Gjermania është një aleat i vendosur i Izraelit dhe ka kundërshtuar thirrjet për një armëpushim, ndërsa shtyn për ndihmë për civilët në Gaza, duke bërë thirrje për “pauza humanitare” dhe duke kërkuar të mbajë kanale të hapura komunikimi me vendet e tjera në rajon për të parandaluar përhapjen e konfliktit.

Erdogan ka marrë një qëndrim gjithnjë e më të ashpër kundër Izraelit. Të mërkurën, ai e quajti atë një “shtet terrorist” që synon të shkatërrojë Gazën së bashku me të gjithë banorët e saj.

Grupin radikal palestinez të Hamasit ai i përshkroi si “luftëtarë të rezistencës” që përpiqen të mbrojnë tokat dhe njerëzit e tyre.

I pyetur në fillim të kësaj jave për komentet e Erdoganit, Scholz nuk e përmendi liderin turk me emër, por tha se “akuzat që po bëhen atje kundër Izraelit janë absurde.”

Të mërkurën, Scholz i tha parlamentit se bisedimet e tij me Erdoganin do të përfshijnë një diskutim të “pikëpamjeve të ndryshme në këtë çështje, është shumë e rëndësishme që të ketë qartësi dhe që ne ta bëjmë qëndrimin tonë shumë të qartë.”

Izraeli tërhoqi diplomatët nga Turqia muajin e kaluar pasi Erdogan akuzoi këtë shtet për kryerjen e krimeve të luftës. Më vonë, edhe Turqia tërhoqi ambasadorin e saj nga Izraeli.

Show More

Related Articles

Back to top button