Ligjvënësja britanike, Alicia Kearns, e cila në disa raste tashmë nuk ka ngurruar të ngrejë zërin në mbrojtje të Kosovës, reagoi menjëherë pas deklaratës së presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, që t’i kushtohet vëmendje më e madhe rajonit të Ballkanit.
Në këtë deklaratë ai tha se ka informacione se Rusia po planifikon të nisë një luftë në rajon për të larguar vëmendjen nga Ukraina.
“Kushtojini vëmendje Ballkanit. Më besoni, kemi informacione: Rusia ka një plan të gjatë. Lindja e Mesme do të jetë Ballkani, e nëse vendet e botës nuk ndërmarrin diçka, do të ketë një shpërthim të ngjashëm. Kjo është arsyeja pse Rusia do të sigurohet se një vend i Ballkanit të jetë në luftë me një tjetër”, ishte deklarata e kreut të shtetit ukrainas. Pohimi i tij ngjalli reagime të në platformën “X”, nga aktorë ndërkombëtarë, të cilët bënë thirrje për shtim të vigjilencës.
Po përmes kësaj platforme, Kearns përsëriti paralajmërimet e saj të mëparshme për nevojën e një strategjie të qartë dhe të përbashkët në Ballkan.
“Kam paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se duhet të gjejmë ‘shtyllën kurrizore’ në Ballkan dhe të mos përsërisim dështimet e parandalimit. Ballkani është oborri ynë dhe ne kemi përgjegjësi historike. Paralajmërova në muajin qershor për atë që mund të shohim në Kosovë, por u hedh poshtë. Me keqardhje, shqetësimet e mia u realizuan”, ka shkruar ajo.
Shqetësim për deklaratën e presidentit ukrainas ka shprehur edhe kryetari i Nismës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus. Knaus në platformën “X” ka shkruar se “është e qartë, por BE-ja, Gjermania dhe të tjerët po qëndrojnë në gjumë. Po afrohet një dështim tragjik”. Edhe analistja amerikane Ivana Stradner ka shkruar se fatkeqësisht presidenti Zelensky ka të drejtë.