Aleanca për Shqiptarët (ASH) kërkon dorërheqjen e ministrit të Arsimit, Jeton Shaqiri, për siç thonë, emërimin e paligjshëm të Driton Ganiut, për drejtor në shkollën fillore “26 Korriku” në Shuto Orizare të Shkupit. “Mbrëmë i gjithë opinioni vendor dhe rajonal, përmes emisionit “STOP” në Shqipëri e pa se si për interesa partiake, familjare e klanore, BDI shkatërron arsimin në gjuhën shqipe dhe gjithë sistemin. Në Shkollën Fillore “26 Korriku” në Shuto Orizare, në mënyrë antiligjore, Ministri për Arsim Jeton Shaqiri emëron për drejtor në mandatin e dytë, Driton Ganiun, vëllain e kryetarit të Çairit, Visar Ganiu, edhe pse i njëjti nuk posedon certifikatën e nevojshme për drejtor.”, tha Naim Bajrami nga Aleanca për Shqiptarët.
Reagimi i plotë i ASH-së
Të nderuar përfaqësues të mediave, të nderuar qytetarë,
Mbrëmë i gjithë opinioni vendor dhe rajonal, përmes emisionit “STOP” në Shqipëri e pa se si për interesa partiake, familjare e klanore, BDI shkatërron arsimin në gjuhën shqipe dhe gjithë sistemin. Në Shkollën Fillore “26 Korriku” në Shuto Orizare, në mënyrë antiligjore, Ministri për Arsim Jeton Shaqiri emëron për drejtor në mandatin e dytë, Driton Ganiun, vëllain e kryetarit të Çairit, Visar Ganiu, edhe pse i njëjti nuk posedon certifikatën e nevojshme për drejtor.
Më pas, i njëjti keqpërdor mbështetjen partiake për të bërë edhe shumë shkelje dhe parregullsi të tjera. Në këtë rast duam të theksojmë disa vepra penale që janë kryer nga vetë drejtori dhe ministri për arsim dhe shkencë.
Në radhë të parë, Ministri Jeton Shaqiri ndërhyn në pushtetin lokal dhe Komunës ia merr kompetencat pa patur bazë ligjore. Ministri ndërhyn pa të drejtë në shkollë dhe emërton drejtor që nuk i plotëson kushtet, ndërsa shkarkon drejtoreshën e emëruar nga Komuna. Kjo është ndërhyrje brutale e pushtetit ekzekutiv në arsim dhe në pushtetin lokal. Drejtori i shkollës vetë ushtrimin dhe detyrën e kryen në kundërshtim me ligjin. Për të mos mjaftuar kjo, ai shpenzon 90 mijë euro në emër të rinovimit dhe për të njëjtat nuk ka dorëzuar asnjë faturë. Në video pamë edhe skena të bastisjes së shkollës. Konkretisht, pasi ishte shkarkuar nga komuna drejtori Ganiu dhe njerëz të tij natën hyjnë në objektin e shkollës dhe marrin dokumentacione dhe gjëra të tjera me vlerë nga shkolla “26 Korriku”.
Ftojmë Ministrinë e Punëve të Brendshme, Inspektoriatin për Arsim, Policinë financiare, Revizionin Shtetëror dhe Prokurorinë Publike që urgjentisht të inspektojnë të gjitha zhvillimet në këtë rast dhe që personat e involvuar të mbajnë përgjegjësi penale për çdo shkelje. Pas këtij skandali, Ministri Jeton Shaqiri nuk guxon më të qëndrojë asnjë ditë më shumë në krye të Ministrisë për Arsim dhe Shkencë, por të përgjigjet para organeve të drejtësisë për keqpërdorimin e detyrës dhe veprat e konsumuara penale. Kërkojmë që nga shkolla të largohet drejtori klandestin dhe në vend të tij të rikthehet drejtoresha e emëruar nga Komuna e Shuto Orizares.