Ushtria e Izraelit ka dëbuar me forcë të gjithë palestinezët e zhvendosur dhe shumicën e pacientëve nga spitali Al-Shifa në Rripin e Gazës, i cili është nën sulm dhe i rrethuar nga forcat izraelite, transmeton Anadolu.
Drejtori i Shëndetësisë në Gaza, Munir al-Bersh, tha se nga 650 pacientë në spital, vetëm rreth 100-120 persona kanë mbetur dhe se kanë nevojë për koordinim me Kombet e Bashkuara (OKB) për evakuimin e tyre.
Duke deklaruar se kanë kontaktuar Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për të parandaluar largimin e foshnjave të mbajtura në inkubatorë në spital, Bersh deklaroi se arritën të linin vetëm pesë mjekë për të ndihmuar pacientët.
Bersh foli nëpërmjet telefonit në një transmetim të drejtpërdrejtë të kanalit televiziv Al-Jazeera, duke thënë se ushtarët izraelitë nuk i kanë lënë të shtrihen gjatë gjithë natës dhe kanë kërkuar largimin nga Spitali Al-Shifa.
Ai tha se nga zona janë larguar së bashku edhe me pacientë në barela dhe karroca, ndërsa gjithnjë kanë pasur frikë nga snajperët izraelitë të vendosur në majë të ndërtesave.
Bersh njoftoi se nga spitali kanë ecur drejt jugut të Gazës, ndërsa pacientët me dhimbje kanë kërkuar ndihmë duke bërtitur, por nuk kanë gjetur askënd për ndihmë.
Ai e përshkroi si tepër të keqe situatën në Spitalin Al-Shifa pas bastisjes izraelite.