LajmeSport

Shqipëria e para e grupit, shkon në “Euro 2024”, Silvinjo: Krenar që jam trajner i Shqipërisë

Një pikë e artë i siguroi Shqipërisë biletën për në Gjermani. “Kuqezinjtë kanë siguruar me barazimin 1-1 ndal Moldavisë, në transfertë, pikën që i nevojitej për pjesëmarrjen në turneun e vitit të ardhshëm. Misioni është kryer me sukses nga skuadra e drejtuar nga Silvinjo, e cila regjistroi një seri fantastike të rezultateve, pasi që në 6 ndeshje radhazi, pa humbje, siguruan 14 pikët që vulosën kualifikimin.

“Të gjithë që na kanë mbështetur, kanë bërë punë fantastike. Është një nder të jem trajneri i Kombëtares shqiptare. Kjo është meritë e Doriva-s, Zabaleta-s, Luka, Iris, Ilir, të gjithë. Bulku, janë të gjithë. Barazimi? Sigurisht që Moldavia nuk kishte asgjë për të humbur, luante me top të gjatë dhe ishte e vështirë. Ata nuk kanë humbur asnjë ndeshje përveçse asaj me ne”, tha Silvinjo trajner i Shqipërisë.

“Nuk ishte ndeshja jonë më e mirë. Një pikë na çoi në Europian, jemi të gjithë të lumtur. Sa shumë shqiptarë që kishte në stadium, i falenderoj shumë të gjithë. Kemi tifozët më të mirë në botë. E kemi kuptuar që do të shkonim në Europian, kur fituam me Çekinë 3-0, ajo na dha vetëbesim”, u shpreh Berat Gjimshiti, kapiten i Shqipërisë.

Pjesëmarrja në Kampionatin Evropian sjell përfitime materiale në Federatën Shqiptare të Futbollit. FSHF-ja do të përfitojë 9.25 milionë euro, aq sa fitojnë të gjitha kombëtaret tjera që do të jenë pjesëmarrëse në Euro 2024. Më tej, për çdo fitore në grup, UEFA ka vendosur një bonus prej 1.5 milionë eurosh, ndërsa barazimi vlen 750 mijë euro.

Ndërkohë FSHF ka zgjedhur një logo dhe një moto të veçantë, të cilat do të jenë pjesë e kuqeiznjëve”. Shprehja “Po ku ka si ti o Shqipëria ime”, pritet të jetë ajo e cila do të vendoset në ambientet e kombëtares kuqezi, apo edhe në fanella përkujtimore të kësaj pjesëmarrje të dytë në një Evropian.
Njëkohësisht, ajo do të shoqërohet me një logo që tregon duart që bëjnë shqiponjën pas trofeut të Evropianit.

Shorti për Evropianin e vitit 2024 do të hidhet më 2 dhjetor. UEFA do të organizojë ceremoninë në këtë datë, në orën 18:00, në Hamburg, ku do të mësohet rrugëtimi i secilës skuadrës që është kualifikuar në këtë turne, por edhe atyre që nuk kanë siguruar ende pjesëmarrjen, pasi në mars luajnë sfidat e play-offit. E vetmja skuadër që ka grupin e caktuar është Gjermania, e cila pa short do të shkojë në Grupin A në pozicionin e parë. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button