Kryeministri Edi Rama ka reaguar me një postim në rrjetin social X për kaosin e krijuar në Kuvend këtë të hënë.
Ai shprehet se opozita tashmë ka prekur fundin, ndërsa mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha, një person i kërkuar nga drejtësia, thekson kreu i qeverisë.
“I futën fjalorin e sjelljet e rrugës në politikë, ndërsa politikën e hodhën në mes të katër rrugëve, duke mbjellë sherr, rrëmujë, dhunë dhe korrur humbje, humbje, humbje… Tanimë kanë prekur fundin, ku i ka marrë me
vete halli i një të kërkuari nga drejtësia, që nuk do t’i lëshojë derisa të shkërmoqen e të ridalin copa e çika mbi ujë, si mbeturinat e një anijeje të mbytur”, shkruan Rama.
Vetëm 5 minuta zgjati seanca plenare e kësaj të hëne, kur pritej të diskutohej projektligji më i rëndësishëm ekonomik i vitit, “Projekt Buxheti 2024″.
Deputetët e opozitës grumbulluan sërish karriget në foltore, ndërsa janë përplasur fizikisht me disa prej punonjësve të Gardës. As kontrollet e shtuara në hyrje të Kuvendit nuk i ndaluan deputetët e opozitës të merrnin edhe këtë seancë flakadanët, të cilët i ndezën në nisje të seancës plenare. Situata u bë më kaotike kur njëri prej flakadanëve mori flakë, i cili u fik nga punonjësit e Gardës.