Gjatë dëshmisë së tij, të hënën në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari Zijadin Hoxha ka thënë se me Jakup Krasniqin kanë qenë në burg bashkë si të burgosur politik në ish-Jugosllavi, por mohoi ta ketë parë në uzinë më 1999.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Pjetër Shalës, Jean-Louis Gilissen, dëshmitari Hoxha tha se me Jakup Krasniqin kanë qenë pothuajse tre vite bashkë në burgun e Novi Sadit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Po. E njoh bile shumë moti qysh prej viteve ‘87-‘88, faktikisht në burg kemi qenë së bashku me Jakup Krasniqin. Ai ka qenë politikisht i denum, qashtu kam qenë edhe unë. Gati 3 vite kemi qenë së bashku në burgun e Novi Sadit”, tha dëshmitari Hoxha.
Dëshmitari u shpreh se është i bindur 100% se Jakup Krasniqin nuk e ka parë në uzinën e metalit në Kukës gjatë periudhës së vitit 1999.
I pyetur për Bislim Zyrapin, dëshmitari tha se ka qenë komandant dhe se kohë pas kohe ka qenë në uzinën e metalit në Kukës.
“E kam pas komandant, e kam pas. Kohë pas kohe ka qenë aty. Pa ndërprerë nuk ka qenë aty por kohë pas kohe. Ai ka qenë komandant i operacionit “Shigjeta”, ai e ka udhëheq komplet”, tha Hoxha.
Ndërsa, për një person me emrin Bedri Azemi, dëshmitari tha se me të janë njoftuar në kazermë.
“E njoh Bedri Azemin. Në kazermë jemi njoftu dhe sot e asaj dite kemi shoqëri së bashku. Rolin saktësish nuk e di, a e ka pas… edhe ia ka qenë në logjistikë, të gjithë kemi qenë në logjistikë faktikisht, por nuk e di a e ka pas depon e materialit ushqimor apo uniformave, nuk e di cilin resurs e ka pas. Bedria ka qenë vazhdimisht aty. Me Bedrinë faktikisht një shtrat e kemi nda”, tha dëshmitari Hoxha.
Kurse, për Sabit Gecin dëshmitari tha se e ka njohur pas luftës, e me të është takuar 2-3 herë.
“Sabit Gecin e kam njoftë pas lufte, gjatë luftës nuk e kam njoftë Sabit Gecin. Pas luftës ka pas rast jemi taku 2-3 herë më të, por gjatë luftës nuk kam pas rast me e taku. Pas lufte, po pas lufte e kam taku diku vitet 2000. Gjatë luftës nuk e kam taku asnjëherë, as në fabrikën e uzinës as kërkun”, tha dëshmitari Hoxha.
Ndërsa, për Xhemshit Krasniqin, dëshmitari tha se ka dëgjuar që është dënuar që ka qenë në uzinën e metalit në Kukës.
“Veç ni sekond. Si figurë po, pas lufte faktikisht kam dëgju që është dënu që ka qenë aty, por me e njoftë personalisht nuk e njoh”, tha Hoxha.
Për personin me emrin Fadil Hoxha, dëshmitari tha se ka qëndruar në uzinën e metalit në Kukës.
“Po e kam njoftë edhe e njoh, Ka qëndru faktikisht (në uzinën e metalit në Kukës). Saktësisht nuk e di, më duket ka qenë komandant i policisë ushtarake, por nuk jam i saktë”, tha dëshmitari.
Dëshmitari tha se Ruzhdi Saramatin nuk e ka takuar asnjëherë deri paslufte.
“Atëherë nuk e kam taku asnjëherë. Mbas lufte e njoh faktikisht a atëherë nuk e kam taku asnjëherë”, tha Zijadin Hoxha.
Dëshmitari u pyet edhe për disa persona të tjerë, për të cilët tha se kanë rënë dëshmorë, si Salih Saramati, Selver Maçka, Shpend Berisha, Gani Saramti dhe Abdurrahman Gerdellaj.