LajmeRajon

Në veri, targat RKS mbulohen me ato KM

Veturat me targa RKS (Republika e Kosovës) në Mitrovicë të Veriut gjatë natës janë të mbuluara me letra ngjitëse me KM (Mitrovica e Kosovës), kurse stema e Kosovës është mbuluar me atë të Serbisë.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se zyrtarët policorë kanë dalë në terren pas ankesës së një qytetari dhe kanë kryer hetime. Sipas tij, tani pritet vendimi i prokurorit për të përcaktuar nëse ka elemente për të iniciuar një rast.

Hoti tha se bëhet fjalë për një numër më të vogël të veturave, por se nuk e di numrin e saktë, pasi me gjasë, shumica, siç tha ai, as nuk kanë raportuar rastet tek autoritetet, por vetëm i kanë hequr letrat ngjitëse të vendosura në targat e veturave të tyre.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga 1 gushti të mundësojë riregjistrimin e veturave që përdorin targa me qytetet e Kosovës, të cilat janë të regjistruar në Serbi, dhe kanë targa të tilla si PR (Prishtinë), KM (Mitrovica e Kosovës), UR (Ferizaj) etj. Afati për riregjistrim do të zgjasë deri më 30 shtator.

Veturat me targa të tilla qarkullojnë vetëm në veri të Kosovës dhe besohet se janë rreth 10,000 vetura me targa KM.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, riregjistrimi me targat RKS do të vlejë për të gjitha veturat e regjistruara në sistemin serb në periudhën prej 10 qershorit 1999 deri më 21 prill të këtij viti.

Në vendim thuhet se pas afatit të përcaktuar nuk do të mund të bëhet riregjistrimi i veturave që kanë targa të lëshuara nga Serbia.

Çështja e targave nxiti tensione midis Prishtinës dhe Beogradit shtatorin e vitit të kaluar, pasi Kosova vendosi masa reciprociteti ndaj Serbisë, gjegjësish nisi lëshimin e targave provuese për të gjithë personat që drejtonin vetura me targa të qyteteve të Serbisë.

Më pas, Qeveria e Kosovës tha se të gjitha targat KM do të largohen nga veturat e qytetarëve në veri të Kosovës, njoftim ky që shtyri serbët lokalë të bllokonin për dy javë pikëkalimet kufitare midis Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Kosova dërgoi në këto dy pikëkalime njësitë speciale të Policisë, ndërkaq avionët ushtarakë serbë u panë disa herë duke fluturuar afër Jarinjës. Atëbotë, Beogradi zyrtar tha se njësitë e ushtrisë serbe ishin në gatishmëri të lartë në garnizonet e Rashkës dhe Novi Pazarit, dy qytete pranë kufirit me Kosovën.

Pas ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian, tensionet u ulën dhe palët u pajtuan për një zgjidhje të përkohshme për targat, përkatësisht për të mbuluar simbolet shtetërore me letra të bardha ngjitëse. Regjimi i letrave ngjitëse u zbatua edhe për targat KM.

Kosova dhe Serbia duhej të arrinin një zgjidhje afatgjatë për targat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, por kjo nuk ndodhi për shkak të qëndrimeve të ndryshme të palëve.

Më 29 qershor, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, Miroslav Lajçak, tha se ka shpresë që dialogu në nivelin e lartë politikë do të vazhdojë në muajin korrik.

Mirëpo, në po të njëjtën ditë, Qeveria e Kosovës miratoi vendimin për riregjistrimin e veturave me targa të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga autoritetet serbe, gjë që nxiti reagim të ashpër nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se nuk do të ketë dialog.

Më pas, më 30 qershor Lajçak deklaroi se në raportet midis Kosovës dhe Serbisë është krijuar një “situatë e re” dhe nuk dihet nëse do të ketë takim gjatë korrikut ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Show More

Related Articles

Back to top button