Komisioni për Politikë Operative Monetare i Bankës Popullore ka vendosur për rritje të re të normës bazë të interesit për letrat me vlerë afatshkurte për 0,5 pikë përqindje në nivelin 2,5 për qind, njofton Banka Popullore. Oferta e letrave me vlerë afatshkurte në ankandin e rregullt nuk ka ndryshuar dhe arrin në 10 miliardë denarë, kështu vendosi Komisioni në seancën e rregullt që u mbajt dje, transmeton Portalb.mk.
“Pritet që rritja e mëparshme e normave të interesit, së bashku me ndryshimet e bëra në normat e shpërndarjes së rezervës së detyrueshme në valutë vendase dhe të huaj, do të vazhdojë të ndikojë në politikën e interesit të bankave duke nxitur kursimet në monedhën vendase”, thuhet në njoftimin e Bankës Qendrore.
Nga Banka Popullore thonë se gjatë marrjes së vendimit kanë marrë parasysh trendet më të fundit të inflacionit, norma vjetore e të cilit për periudhën janar-qershor 2022 ishte mesatarisht 10 për qind.
“Pjesa më e madhe e inflacionit të brendshëm është rezultat i presionit nga çmimet e importit të ushqimeve dhe energjisë, të cilat deri më tani janë duke u rritur më shumë se sa pritej. Këto presione kalojnë shpejt në çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera dhe nxisin më tej pritjet inflacioniste. Të dhënat dhe pritshmëritë më të fundit në tregjet botërore tregojnë për një lehtësim gradual të presioneve mbi çmimet. Përkatësisht, për herë të parë pas një kohe pritjet për çmimet e ushqimeve janë rishikuar në rënie”, thuhet në njoftimin e Bankës Popullore.
Ata shtojnë se rezervat valutore janë në zonën e sigurt dhe niveli i tyre plotëson kërkesat për përshtatshmëri sipas standardeve ndërkombëtare. Të dhënat më të fundit të disponueshme dhe me frekuencë të lartë nga tregu valutor tregojnë për një rënie të mëtejshme të kërkesës neto për valutë të sektorit jobankar, gjë që i mundësoi Bankës Kombëtare blerjen e valutës së huaj gjatë korrikut për herë të parë që nga shtatori 2021.
Banka qendrore sqaron se në tremujorin e parë të vitit 2022, aktiviteti në ekonominë vendase ka shënuar një rritje reale prej 2.4 për qind në bazë vjetore dhe të dhënat mujore të disponueshme për aktivitetin ekonomik për tremujorin e dytë tregojnë për lëvizje të ngjashme edhe në këtë periudhë.
Banka Kombëtare thotë se rreziqet për kontekstin e përgjithshëm makroekonomik janë ende të theksuara dhe lidhen kryesisht me mjedisin e jashtëm, në radhë të parë me pasigurinë që lidhet me rrjedhën dhe kohëzgjatjen e konfliktit ushtarak midis Rusisë dhe Ukrainës dhe ndikimin e tij në çmimet dhe aktivitetin ekonomik në një kornizë globale, por edhe rreziqet e pandemisë Covid-19, e cila ende nuk ka përfunduar.
Ndryshe, sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, inflacioni në vend gjatë muajit qershor 2022 ka arritur një rekord të ri prej 14.5 për qind, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.