Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për një marrëveshje për lirimin e 50 pengjeve që mbahen në Gaza gjatë një pauze katër-ditore në luftime.
Fillimi i pauzës do të shpallet në 24 orët e ardhshme – nëse do të jetë i suksesshëm, do të jetë pushimi i parë në luftime që nga 7 tetori, raporton BBC, përcjell portali rtv21.tv
Të mërkurën në mëngjes, Izraeli konfirmoi se operacioni i tij tokësor dhe ajror në Gaza po vazhdon, përpara se të fillojë pauza.
Hamasi thotë se 150 gra dhe adoleshentë palestinezë do të lirohen nga burgjet izraelite sipas marrëveshjes
Grupi shton se qindra kamionë me ndihma humanitare, furnizime mjekësore dhe karburant do të lejohen në Gaza.
Qeveria e Izraelit këmbëngul se ky nuk është fundi i luftës, duke përsëritur angazhimin e saj për të “përfunduar eliminimin e Hamasit”.
Izraeli filloi të sulmojë Gazën pasi luftëtarët e Hamasit kaluan kufirin më 7 tetor, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 240 të tjerë.
Ministria e shëndetësisë e Gazës e drejtuar nga Hamasi thotë se më shumë se 14,000 njerëz – duke përfshirë më shumë se 5,000 fëmijë – janë vrarë në fushatën e Izraelit.