Ndotja e ajrit filloi sërish të rritet ndjeshëm në metropolin e Shkupit. Këtë e tregon edhe renditja e mëngjesit e ueb-faqes së njohur për matjen e ndotjes së ajrit në kryeqytetet e botës, Iqair.com, në të cilën Shkupi është në vendin e shtatë.
“Indeksi i cilësisë së ajrit në Shkup është 158, me koncentrimin më të lartë të grimcave të ndotura PM2.5”, thuhet në njoftimin e kësaj faqeje interneti me shënimin se njoftimi bëhet në ora 9:15.
Sipas kësaj faqeje, ajri është i pashëndetshëm. Bëhet fjalë për një përqendrim të grimcave PM2.5 që është 14 herë më i lartë se vlera vjetore e Udhëzimeve për Cilësinë e Ajrit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Iqair jep edhe një rekomandim për qytetarët që në kushte të tilla të mbajnë maska mbrojtëse, të mos hapin dritare dhe të mos ngasin biçikleta.
Ditët e fundit qytetarë të shumtë janë ankuar për ndotje të lartë të ajrit dhe erë të keqe. Natyrisht se sezoni i rritjes së ndotjes së ajrit në Shkup ka filluar. Pyetja është, a e ndjejnë autoritetet dhe a do të fillojnë të marrin disa masa?