LajmeMaqedoniRajon

Takimi me Stoltenberg, Rama: Të sigurohet kufiri Kosovë-Serbi, të procedohet me bazën në Porto Palermo

Pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe liderët e 4 vendeve të tjera anëtare të aleancës në Europën juglindore, kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se ka kërkuar rritje të numrit të forcave të aleancës në Kosovë.

Në fjalën e tij, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Shkup, Rama e konsideroi tragjik sulmin në veri të Kosovës, teksa tha se duhet siguruar që një gjë e tillë të mos përsëritet më.

Sipas kreut të qeverisë shqiptare është domosdoshmëri që të garantohet kufiri mes Kosovës dhe Serbisë pasi, sipas tij, është jashtë kontrollit dhe në shërbim të aktiviteteve ilegale.

“Në veri, një ngjarje tragjike e cila duhet konsideruar paralajmërim dhe jo ngjarje sporadike dhe duhet me çdo kusht të mos përsërite. Ndaj theksova në takim domosdoshmërinë e rritjes së numrit të forcave të NATO në Kosovë dhe domosdoshmërinë për të garantuar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë i cili është jashtë kontrollit dhe është në shërbim të aktiviteteve ilegale të trafikut të armëve, drogës, aktiviteteve që pastaj ngatërrohen edhe me aktivitetin politik me sfond ultranacionalist që shkakton devijime të rënda siç ishte ai në Banjskë ku humbi jetën në krye të detyrës një punonjës i Policisë së Kosovës dhe ku qartësisht doli në pah rrezikshmëria e lartë për destabilizim dhe përshkallëzim të një konflikti që ka vetëm një vend për t’u trajtuar në tryezën e dialogut të ndërmjetësuar nga BE”, tha Rama.

Po ashtu, kryeministri theksoi se ka bërë kërkesë që të procedohet sa më shpejt me aplikimin e Shqipërisë për të bashkëfinancuar me NATO-n bazën detare në Porto Palermo. Sipas Ramës, kjo bazë e re detare e NATO-s do të forconte strategjinë e mbrojtjes së përbashkët.

“Dua të theksoj edhe kërkesën që aplikimi i Shqipërisë për të bashkëfinancuar me NATO-n bazën e re detare të NATO-s në Porto Romano të procedohet sa më shpejt sepse ne besojmë që çdo gjë që ndodh e përforcon vlerën strategjike të një investimi të tillë, jo thjeshtë për Shqipërinë apo rajonin, por edhe për vetë NATO-n që do fitojë një akses të shpejtë në çdo anë të Europës për strategjinë e mbrojtjes së përbashkët. Ne do vazhdojmë të jemi shumë të angazhuar dhe të përkushtuar për të forcuar kapacitetet tona dhe për të rritur eficiencën e FA dhe mbetemi në frontin e vendeve të NATO-s një anëtar i përgjegjshëm dhe i palëkundur në të gjitha sfidat e përbashkëta”, deklaroi Rama.

Kryeministri Rama, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spahic, kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanovic dhe i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski zhvilluan një takim me dyer të mbyllura me Jens Stoltenberg.

Show More

Related Articles

Back to top button