Lideri veteran populist anti-islamik Geert Wilders është drejt fitores dramatike në zgjedhjet e përgjithshme holandeze, sipas parashikimit të fundit, shkruan BBC.
Pas 25 vjetësh në parlament, Partia e Lirisë (PVV) do të fitojë 37 vende, shumë përpara aleancës së krahut të majtë, që renditet e dyta.
“PVV nuk mund të injorohet më. Ne do të qeverisim”, ka thënë Wilders.
Fitorja e tij ka tronditur politikën holandeze dhe do të sjellë tronditje edhe në të gjithë Evropën.
Por për të përmbushur zotimin e tij për të qenë “kryeministër për të gjithë”, atij do t’i duhet të bindë partitë e tjera që t’i bashkohen në një koalicion. Objektivi i tij është 76 vende në parlamentin prej 150 vendesh.
Wilders, 60 vjeç, shfrytëzoi zhgënjimin për migracionin duke premtuar “kufijtë e mbyllur” dhe premtoi ndalimin e librit të shenjtë të myslimanëve, Kuranin.
Para votimit, tre partitë e tjera të mëdha përjashtuan pjesëmarrjen në një qeveri të udhëhequr nga Wilders për shkak të politikave të tij të së djathtës ekstreme. Por kjo mund të ndryshojë për shkak të shkallës së fitores së tij.
Aleanca e krahut të majtë nën ish-komisionerin e BE-së, Frans Timmermans, u rendit e dyta me 25 vende. Ai e bëri të qartë se nuk do t’i bashkohet qeverisë së udhëhequr nga Wilders.
Fitorja e Wildersit do të dërgojë valë tronditëse në mbarë Evropën, pasi Holanda është një nga anëtaret themeluese të asaj që u bë Bashkimi Evropian.
Udhëheqësit nacionalistë dhe të djathtë në mbarë Evropën vlerësuan arritjen e tij.
Wildersi dëshiron të mbajë referendum për t’u larguar nga BE-ja, i quajtur “Nexit”, megjithëse e pranon se nuk ka humor kombëtar për ta bërë këtë.