LajmeMaqedoni

Pas shumë premtimeve dhe deklaratave, u hap tenderi për stadiumin e Tetovës

Pas shumë premtimeve disa vjeçare dhe deklaratave të shumta, dje është hapur tenderi për stadiumin e Tetovës, raporton Portalb.mk.

Sipas shpalljes publike të bërë nga ana e Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport”, lënda e kontratës së prokurimit publik është ndërtim dhe rikonstruim i objekteve sportive, ndërkaq vlera e parashikuar është 600.000.000 denarë pa TVSH, që i bie rreth 9.7 milionë euro.

Tenderi do të jetë i hapur deri më 22 dhjetor 2023, ndërsa ofertat të dorëzohen jo më vonë se ora 14:30.

Ndërsa kohëzgjatja e kontratës thuhet se është në periudhë prej 36 muajsh.

Sipas shpalljes, në fazën e parë është paraparë projekt ideor për rikonstruimin e stadiumit të qytetit.

Në dokumentacionin e shpalljes për stadiumin e qytetit thuhet:

“Projekti i ideor është përgatitur sipas programit të projektit, i cili ka marrë parasysh standardet e UEFA-s për infrastrukturën e stadiumeve dhe rekomandimet e UEFA-s për ndërtimin e stadiumeve të reja si dhe rindërtimin e të vjetrave. Janë marrë parasysh edhe dispozitat e rregullores për infrastrukturën e stadiumeve në Republikën e Maqedonisë nga Federata e Futbollit të Maqedonisë”.

Në shpallje janë të parapara edhe Qendra Sportive dhe Rekreative e qytetit si dhe terreni sportiv në fshatin Saraqinë.

Detajet dhe specifikacionet e tjera janë të qasshme në këtë LINK.

Kujtojmë që Portalb.mk para dy ditëve raportoi se tenderi nuk u shpall siç ishte paralajmëruar në muajin tetor se do të shpallej për dhjetë ditë.

Maratonë premtimesh për rikonstruimin e stadiumit të qytetit

Me 18 nëntor 2023, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami theksoi se do gjejnë zgjidhje që do jetë më e mirë për Tetovën dhe kjo nënkupton se mund të shkohet edhe me konceptin e ndërtimit të një stadiumi të ri.

Në tetor 2023 Kasami deklaroi se janë në fazën përfundimtare të përcaktimit të detajeve dhe se priste që brenda dhjetë ditëve të shpallet tenderi.

Në muajin korrik 2023 Kasami paralajmëroi se tenderi për rikonstruimin e stadiumit të qytetit pritet të shpallet në shtator apo tetor.

Paraprakisht, Kasami në muajin maj 2023 theksoi se vjeshta ishte afati i pritshëm për fillimin e punimeve, por aso kohe pa dhënë detaje.

Ndërkaq, edhe vitin 2022 disa herë Kasami përmendi se pritej të kishte zgjidhje brenda atij viti.

Rikonstruimin e stadiumit kryetari aktual i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami e përmendi edhe në debatet parazgjedhore.

Rikujtojmë që edhe kryetarja paraprake, Teuta Arifi për rikonstruimin e stadiumit bëri një maratonë premtimesh, në vitin 2013, më pas në vitin 2017 si dhe përsëri në vitin 2021, por kjo nuk u realizua në terren.

Përndryshe, stadiumi i Tetovës është në gjendje të shkatërruar dhe nuk plotëson standardet e UEFA-s, skuadra tetovare “Shkëndija” ndeshjet evropiane i luan në Shkup.

Show More

Related Articles

Back to top button