Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, u zhvillua një debat i ashpër mes deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi dhe ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Gërvalla u përball me pyetje të shumta nga Musliu-Shoshi, të cilat përfshinin çështje si buxheti i ministres, paga e këshilltarit Gani Jakupi dhe përpjekjet e Kosovës për lobim ndërkombëtar.
Ndërhyrjet e kryesueses së Komisionit, Arbreshë Kryeziu-Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje, që e akuzoi Musliu-Shoshin për ‘përdorimin e mikrofonit’ për të marrë vëmendje, shkaktoi një reagim të ashpër nga deputetja e PDK-së, e cila iu drejtua me “mshele”.
Ministrja Gërvalla, duke iu përgjigjur deputetes Musliu-Shoshi tha se PDK-ja ka paguar pesëfishin e asaj që akuzohet për këshilltarin Gani Jakupi gjatë kohës që ka qenë në qeveri, ndërsa iu drejtua deputetes së PDK-së duke i thënë “ju dëgjova, e ju vetëm po e shfrytëzoni mikrofonin për të shpërndarë gënjeshtra…”.
“…E ndjej veten shumë komod në këtë Komision… 7,500 euro, pikërisht partia juaj që ka qenë në pushte ka paguar pesëfishin e saj…Sinqerisht hezitoj të flas për financa. Më lejoni të flas, sepse unë ju dëgjova e ju vetëm po e shfrytëzoni mikrofonin për të shpërndarë gënjeshtra…”, tha ajo.
Ministrja mohoi se Jakupi është këshilltar i saj personal, duke sqaruar se ai është pjesë e një projekti njëvjeçar.
Sipas saj, paga mujore të cilën është duke e marrë Jakupi është shumë modeste, transmeton Telegrafi.
“Në kuadër të diplomacisë kulturore dhe në kuadër të përpjekjeve tona për ato vende që ende nuk kanë njohur Republikën e Kosovës, vështirë është të gjesh personalitet të rëndësishme kulturore…jam shumë krenare që në këtë shumë modeste e cila nuk është pagë mujore, por që i përfshin shpenzimet e projektit një vjeçar, në Afrikë e në shtete tjera…me shumë kënaqësi vij e ju tregoj këtu për këto kontrata. Në vend që të hidhet baltë në imazhin e personaliteteve të rëndësishme, ky vend do të duhej t’i falënderonte ata për përkushtimin”, tha ministrja Gërvalla.