Më 23 nëntor, një Ekip i Specializuar (ES) prej gjashtë Këshilltarësh Policorë u dislokua në Kosovë për të përforcuar kapacitetin këshillues dhe monitorues të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me mandatin e EULEX-it për t’i mbështetur institucionet e përzgjedhura të sundimit të ligjit në Kosovë, në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, pa ndërhyrje politike dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe praktikat më të mira evropiane.
Përmes një kumtese për media, theksohet se në mënyrë të veçantë, ES e EULEX-it do ta këshillojë Policinë e Kosovës se si t’i kryejë më mirë aktivitetet e rregullta policore gjatë parandalimit dhe luftimit të krimit dhe ofrimit të sigurisë, duke e monitoruar gjithashtu respektimin e detyrimeve të tyre për të drejtat e njeriut, për t’i shërbyer komuniteteve që ata i mbrojnë dhe për ta rritur besimin e popullatës përmes punës policore të orientuar në komunitet.
“Dislokimi i ES të EULEX-it do të zgjasë fillimisht për dy muaj, me mundësinë e vazhdimit derisa Misioni ta ketë krijuar një kapacitet afatgjatë këshillues policor në veri të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Pjesëtarët e ES të EULEX-it janë të dërguar nga Holanda (tre) dhe Suedia (tre) dhe, duke u bazuar në përvojën dhe ekspertizën e tyre policore në komunitet, do të punojnë në komunat veriore në koordinim të ngushtë me kolegët e tyre të Policisë së Kosovës dhe me Këshilltarët e Lartë Policorë të EULEX-it, të cilët e këshillojnë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut dhe katër stacionet policore nën komandën e saj.
Dislokimi i Ekipeve të Specializuara me ekspertizë dhe kapacitete të ndryshme, është një instrument i ofruar nga Kompakti i Politikës Civile të Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje (CSDP) i miratuar në maj 2023 për të dislokuar shpejt ekspertë në Misionet Civile të CSDP-së për t’iu përgjigjur me shpejtësi nevojave operacionale dhe zhvillimeve të sigurisë në terren.